Lajme

Sulmi ndaj gazetarit Syla, të dyshuarit rrezikojnë burgim deri në pesë vjet


Valon Syla

(Ky lajm është përditësuar)

Të mërkurën janë arrestuar tre persona, të cilët mbrëmjen e së martës dyshohet se sulmuan fizikisht gazetarin dhe analistin politik, Valon Syla, njoftoi Prokuroria Speciale të mërkurën nëpërmjet një komunikate të lëshuar për media.

Personat e dyshuar janë Lum Dervishi, Kenan Hasani dhe Okan Hasani, ndërsa sipas Prokurorisë Speciale, të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprën penale “Nxitje e përçarjes dhe mos durimit’’, akt që sanksionohet me nenin 141 të Kodit Penal të Kosovës.

Nga kjo rrjedhë se të dyshuarit përballen me akuza të rënda – përhapje e urrejtjes, përçarje dhe mos durim – dhe nëse vërtetohen, të dyshuarit rrezikojnë gjobë ose dënim me burgim deri në pesë (5) vjet, sipas nenit 141, pika 1 e Kodit Penal të Kosovës.

“Tre të arrestuarit me urdhër të Prokurorit të Shtetit, do të dërgohen në mbajtje, si dhe brenda afateve ligjore do të kërkohet caktimi i masës së paraburgimit”, vazhdon tutje komunikata e Prokurorisë Speciale.

Rasti po hetohet nga Drejtoria Kundër Terrorizmit.

Ndryshe, ishte ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ai i cili nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në Facebook, njoftoi se janë arrestuar tre persona që dyshohet se sulmuan gazetarin dhe analistin politik, Valon Syla, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

“Pas një pune intenzive të Policisë së Kosovës, tashmë janë arrestuar tre sulmuesit e gazetarit Valon Syla. Përgëzoj Policinë e Kosovës për përkushtimin dhe profesionalizmin që garanton siguri për të gjithë si dhe sundim të rendit dhe ligjit”, shkroi Sveçla.

Ndonëse ende nuk dihen zyrtarisht motivet e sulmit, gazetari Valon Syla tha se me shumë gjasë kjo ka të bëjë me reagimet satirike lidhur me një dhuratë – një veturë të tipit Mercedes-Benz – për një hoxhë në Prizren, ku i pranishëm ishte edhe Naim Tërnava, kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës.

Syla, i cili ka qenë viktimë e sulmeve fizike për komentet e tij edhe në të kaluarën, në disa postime në rrjetet sociale, kritikoi Bashkësinë Islame të Kosovës, veçanërisht kreun e saj, Naim Tërnava, për siç tha ai, “luks” të tepruar dhe sjellje si të figurave të showbiz-it

Sulmi ndaj gazetarit Syla ka nxitur reagimin e institucioneve të vendit, partive politike, gazetarëve, diplomatëve dhe shoqërisë civile në Kosovë, të cilët e kanë dënuar ashpër rastin në fjalë. Megjithatë, presidentja Vjosa Osmani dhe kreu i Bashkësisë Islame nuk kanë reaguar ende.

Pamjet e siguruara nga Gazeta Express:

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore