Lajme

Sulmi ndaj Sylës, Ambasada e ShBA-së: Ndërhyrja në pavarësinë dhe lirinë e shprehjes shkelin parimet thelbësore demokratike


Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka reaguar pas sulmit ndaj gazetarit Valon Syla.

“Sulmet ndaj gazetarëve ose ndërhyrja në pavarësinë dhe lirinë e tyre të shprehjes shkelin parimet thelbësore demokratike. Media luan një rol thelbësor në luftimin e korrupsionit, sigurimin e llogaridhënies dhe transparencës dhe mbrojtjen e të drejtave të të gjithë qytetarëve në një demokraci”, thuhet në reagim.

Valon Syla, gazetar dhe analist politik, është sulmuar të martën nga tre persona, duke i shkaktuar lëndime të rënda në kokë.

Ndonëse ende nuk dihen zyrtarisht motivet e sulmit, gazetari Syla tha se me shumë gjasë kjo ka të bëjë me reagimet satirike lidhur me një dhuratë – një veturë të tipit Mercedes-Benz – për një hoxhë në Prizren.

Syla, i cili ka qenë viktimë e sulmeve fizike për komentet e tij edhe në të kaluarën, në disa postime në rrjetet sociale, kritikoi edhe Bashkësinë Islame të Kosovës, veçanërisht kreun e saj, Naim Tërnava, për siç tha ai, “luks” të tepruar dhe sjellje si të figurave të showbiz-it.

Sulmi ndaj gazetarit Syla ka nxitur reagimin e institucioneve të vendit, partive politike, gazetarëve, diplomatëve dhe shoqërisë civile në Kosovë, të cilët e kanë dënuar ashpër rastin në fjalë.

Ndryshe, Policia ka arritur t’i arrestojë tre persona të dyshuar për sulmin fizik ndaj gazetarit Syla.

Syla reagon pas sulmit: “Militantëve islamikë” s’po iu pëlqen humori dhe fjala e lirë – s’kemi nevojë për paqe, pa liri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore