Lajme

Sulmi kamikaz në Kabul vret dy punonjës të ambasadës ruse


Dy punonjës të ambasadës ruse në Kabul u vranë kur një sulmues vetëvrasës shpërtheu eksploziv pranë hyrjes së ambasadës.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Reuters”, duke cituar Ministrinë e Jashtme ruse.

Policia tha se dy persona kishin vdekur në incident, por nuk dhanë identitetin e tyre, ndërsa sulmuesi u qëllua për vdekje nga rojet e armatosura teksa po i afrohej portës.

Sipas burimeve, shpërthimi i fuqishëm është regjistruar në rrugën Darulaman rreth orës 11:00.

“Sulmuesi kamikaz u pikas para se të arrinte objektivin dhe u qëllua nga rojet e ambasadës ruse [talebane]… nuk ka ende informacion për viktima”, tha për Reuters Mawlawi Sabir, kreu i qarkut të policisë ku ndodhi sulmi.

Një burim i “RIA Novosti” raporton se në momentin e shpërthimit, një diplomat rus doli në rrugë për të thërritur emrat e aplikantëve për viza.

Rusia është një nga vendet e pakta që ka mbajtur një ambasadë në Kabul pasi talebanët pushtuan vendin më shumë se një vit më parë.

Edhe pse Moska nuk e njeh zyrtarisht qeverinë e talebanëve, ata kanë qenë në bisedime me zyrtarët mbi një marrëveshje për furnizimin me benzinë dhe mallra të tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore