Lajme

Sulmet në Capitol, nën hetim katër aleatë të Trump-it


Ndaj katër aleatëve – nën qeverisjen e ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump – janë ngritur akuzat e para për hetim rreth sulmeve në Capitol.

Bëhet fjalë për Mark Meadows, ish-shef i stafit të Shtëpisë së Bardhë; Steve Bannon, ish-këshilltari i Trump-it; Dan Scavino, ish-zëvendësshef i shtabit dhe Kashyap Patel, ish-shef i stafit të Pentagonit.

Komiteti, që drejtohet nga demokratët, u ka kërkuar atyre dokumente, si dhe i ka thirrur pёr të dëshmuar gjatё tetorit.

Sipas një deklarate të kryetares së komitetit, Nancy Pelosi, “aleatët e Trump-it u përfshinë në përpjekjet për të përmbysur zgjedhjet e vitit 2020, qё mё pas çuan në trazirat vdekjeprurëse”.

Pamje nga trazirat në Capitol Hill, 6 janar 2021

“Komiteti po heton faktet, rrethanat dhe shkaqet e sulmit të 6 janarit dhe çështjet që lidhen me merrjen e pushtetit”, tha ajo në një letër të enjten e 23 shtatorit.

Gjithashtu në deklaratë listoheshin edhe arsyet e thirrjes për secilin.

Komiteti sqaroi se Bannon do të hetohet për komunikimin e tij me Trump, në fund të dhjetorit, dhe përfshirjen në diskutimet e planeve për përmbysjen e zgjedhjeve.

Në një citim, thuhej se ai ishte dëgjuar, teksa shprehej se: “I gjithë ferri do të shpërthejë nesër”, në prag të sulmeve.

Meadows akuzohet për komunikim me organizatorët e tubimit, pak përpara ngjarjeve të Capitol-it.

Scavino thuhet se u tha anëtarëve të Dhomës të mos certifikojnë zgjedhjet për Joe Biden, ndërsa Patel dyshohet se u përfshi në diskutimet rreth sigurisë në Capitol-it gjatë shpërthimit të trazirave.

Pamje nga trazirat në Capitol Hill, 6 janar 2021

Pas publikimit të letrës së Komitetit, Patel reagoi gjithashtu me një deklaratë.

Ai u shpreh se lajmet, “e kishin zhgënjyer, por gjithsesi nuk ishte befasuar”.

“Komiteti lëshoi thirrjen, para se të kërkonte bashkëpunimin tim vullnetar”, tha ish-shefi i stafit të Pentagonit.

Komiteti për sulmet në Capitol

Komiteti mbi hetimin e trazirave në Capitol Hill u ngrit në janar të këtij viti, teksa ishte kryetarja e Dhomës Demokratike, Nancy Pelosi, qё njoftoi ngritjen e tij.

Nancy Pelosi, kryekongresmenja demokrate amerikane

“Komiteti i ngritur nga demokratët do të synojë të zbulojnё të vërtetën e asaj dite dhe të sigurojë që një sulm i atij lloji të mos pёrsëritet”, ravijёzoi Pelosi në janar.

Vendimi erdhi pasi republikanët e Senatit bllokuan një projekt-ligj për krijimin e një komisioni dypartiak.

Aleatët e ish-presidentit Donald Trump arsyetuan “si të panevojshëm ngritjen e tij”.

Përkrahësit e Trump-it sulmuan Kongresin në Washington DC më 6 janar. Akti rezultoi në një përpjekje të dështuar për të përmbysur certifikimin e fitores së zgjedhjeve presidenciale nga Biden në nëntor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore