Lajme

Sulmet Kibernetike – A ka Kosova kapacitet të mbrohet?


Ilustrim

Pas Shqipërisë, Malit të Zi dhe Greqisë, sulmet kibernetike goditën edhe institucionet e Kosovës të martën e 6 shtatorit.

Ndërsa sulmi sipas Qeverisë së Kosovës – erdhi nga jashtë dhe si target ka pasur IP-në në të cilën kanë qenë të publikuar disa ueb-faqe të institucioneve.

Për t’i evituar sulmet eventuale në të ardhmen, Mentor Hoxhaj, udhëheqës i CyberSecurity and Privacy, po kërkon ngritje të kapaciteteve njerëzore dhe teknike, por edhe testim të sistemeve.

“Këto janë parakusht për një sistem të siguritë. Të testohen në baza vjetore”, thotë Hoxhaj për Albanian Post.

Mentor Hoxhaj

“Realisht ne mund të aludojmë për burimin e këtij sulmi, por nuk mund të themi saktë se nga vije. Se nga ka ardhur sulmi do të mund të dihet vetëm pas një analize brenda institucioneve të sulmuara në bashkëpunim me shtetet e tjera, sepse sulmuesit fshehën në IP-të e shteteve të ndryshme”, tregon ai.

Por, megjithatë, Hoxhaj potencon se dyshimet kryesore “janë tek Rusia”.

“Ne mund të aludojmë që sulmet janë duke ardhur nga Rusia, pasi jo më larg se disa muaj kemi pasur sulme të motivuara nga Rusia. A mund të jemi edhe ne cak? Mund të jemi, por nuk mund të konstatoj”.

Ai shtoi se çdo ditë e më shumë lufta kibernetike po i paraprinë luftës së vërtet, “e kemi parë edhe në Ukrainë ka ndodhur kështu”, duke shtuar se “kemi sulme të motivuara inteligjente të mbështetura nga shtete të caktuara.

“Mund të jenë të motivuara nga Rusia, ose nga Serbia, por Kosova duhet të jetë e pëgaditur nga sulme të tilla”, vuri në pah Hoxhaj.

Ndërsa për njohësin e sigurisë kibernetike, Halil Berishën, për sulmin kibernetik ndaj institucioneve të Kosovës nuk u dhanë shumë informata, as nëse është shkaktuar ndonjë dëm.

Halil Berisha

“Megjithatë, prej asaj se çka ka deklaruar zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, mund të themi se sulmi ishte i llojit DDOS ‘Distributed Denial-of-Service (DDoS) Attack’, i cili për qëllim ka ndërprerjen e shërbimeve”, thekson Berisha për AP.

Berisha thotë se Kryeziu pohoi që target ka qenë IP ku janë të publikuara disa ueb-faqe të institucioneve të Kosovës, “për çka lë të nënkuptohet se me shumë gjasë target kanë qenë web-faqet zyrtare me ‘rks-gov.net’, ku hynë edhe faqe te institucioneve te ndjeshme sikurse ajo e ministrisë së mbrojtjes, zyra e kryeministrit, ministria e Punëve të Brendshme, e ministri tjera, si dhe portali “E Kosova”.

“Pra, këtu mund të konkludojmë që sulmi ishte i llojit DDOS, përmes të cilit sulmuesi e vërshon targetin me trafik të internetit deri në atë pikë që serveri i sulmuar nuk ka më kapacitet. Për këtë sidomos kur target janë faqet shtetërore nevojitet që sulmuesi të ketë fuqi goxha të madhe sulmi”, sqaroi Berisha.

Sipas tij, DDOS sulmet përdoren për të tërhequr vëmendjen e ekipit të sigurisë kibernetike, derisa në anën tjetër përmes sulmeve tjera targetojnë vjedhjen e të dhënave.

“Pra, nuk ka informata të sakta nëse ka pas edhe sulme tjera, përveç kësaj, apo sa janë të sigurta të dhënat”.

Më 6 shtator, disa institucione të Kosovës kanë pësuar sulm kibernetik dhe sulmi ka ardhur nga jashtë Kosovës, ka njoftuar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, përmes një statusi në Facebook

Ai ka theksuar se ekipi i sektorit të sigurisë kibernetike në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit në bashkëpunim me ekspertët e jashtëm kanë identifikuar se problemi me shërbimin e internetit është si pasojë e sulmit kibernetik.

“Sulmi kibernetik nuk ka depërtuar brenda infrastrukturës se rrjetit kompjuterik shtetëror pasi që është bllokuar nga pajisjet përkatëse të sigurisë”, ka potencuar ai.

Por, Kryeziu ka treguar se është identifikuar që sulmi kibernetik ka ardhur nga jashtë Kosovës dhe si target ka pasur IP-në në të cilën kanë qenë të publikuar disa ueb faqe të Institucioneve të Republikës së Kosovës.

Sulme kibernetike, mbyllen përkohësisht sistemet qeveritare në Shqipëri

Më 17 korrik 2022, Shqipëria u godit nga një sulm kibernetik i përmasa të mëdha, ku për arsye të sigurisë u mbyllën të gjithë adresat qeveritare dhe të tilla mbetën për disa ditë.

Një sulm masiv kibernetik kishte goditur shtetin fqinj të Malit të Zi gjatë muajit gusht, ku sipas të dhënave paraprake mësohet se infrastruktura e informacionit së qeverisë malazeze ka rënë pre e kësaj goditjeje nga hacker-ë ende të paidentifikuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore