Lajme

Sulm kamikaz pranë ambasadës ruse në Kabul


Dy persona mbetën të vrarë dhe 11 të tjerë u plagosën pasi një sulmues kamikaz shpërtheu eksploziv pranë hyrjes së ambasadës ruse në Kabul.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Reuters”, duke cituar autoritetet vendase.

Si rezultat i shpërthimit, një diplomat rus dhe një roje e ambasadës u plagosën, raporton “Meduza” duke cituar mediat shtetërore ruse.

Sipas burimeve, shpërthimi i fuqishëm është regjistruar në rrugën Darulaman rreth orës 11:00.

“Sulmuesi kamikaz u pikas para se të arrinte objektivin dhe u qëllua nga rojet e ambasadës ruse [talebane]… nuk ka ende informacion për viktima”, tha për Reuters Mawlawi Sabir, kreu i qarkut të policisë ku ndodhi sulmi.

Një burim i “RIA Novosti” raporton se në momentin e shpërthimit, një diplomat rus doli në rrugë për të thërritur emrat e aplikantëve për viza.

“Nuk ka ende informacione në dispozicion për ndonjë vdekje apo lëndim të personelit të ambasadës ruse”, shtoi Sabir.

Rusia është një nga vendet e pakta që ka mbajtur një ambasadë në Kabul pasi talebanët pushtuan vendin më shumë se një vit më parë.

Edhe pse Moska nuk e njeh zyrtarisht qeverinë e talebanëve, ata kanë qenë në bisedime me zyrtarët mbi një marrëveshje për furnizimin me benzinë dhe mallra të tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore