Lajme

Stoltenberg dhe Millatoviç kërkojnë nga Kosova dhe Serbia uljen e tensioneve


Sekretari i Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe presidenti i ri të Malit të Zi, Jakov Millatoviç.

Sipas sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, situata aktuale në Kosovë është dëshmi se vazhdon të jetë e rëndësishme prania e misionit paqeruajtës të aleancës, KFOR.

Stoltenberg, këtë deklaratë e bëri gjatë një takimi me presidentin e ri të Malit të Zi, Jakov Millatoviç.

“Situata në Kosovë dëshmon se prania e NATO-s është e rëndësishme. Ne do të jemi besnikë ndaj mandatit që kemi sipas rezolutës së OKB-së dhe kemi rritur praninë tonë në Kosovë si përgjigje ndaj rritjes së sfidave të sigurisë”.

“Prania jonë është për të siguruar lirinë e lëvizjes dhe mjedisit të sigurt për të gjithë qytetarëve në Kosovë. Në këtë drejtim, ne mbështesim edhe dialogun [midis Kosovës dhe Serbisë] dhe ftojmë palët që të përmbahen nga veprimet e njëanshme të cilat mund të përshkallëzojnë situatën”, deklaroi ai.

Ai tutje ka potencuar se pas rritjes së tensioneve në Veri të Kosovës, NATO-ja ka shtuar praninë e saj.

Kështu duke bërë përpjekje që të siguroj mjedis të sigurt për të gjithë.

“I ftoj palët të ulin tensionet dhe të kthehen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Kjo është kyçe për qetësinë në Kosovë dhe për stabilitetin e gjithë rajonit”, tha shefi i NATO-s, raporton Radio Evropa e Lirë.

Ndërsa, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviç u shpreh se për shtetin e tij stabiliteti i rajonit të Ballkanit Perëndimor ka një rëndësi të veçantë.

Bashkimi Evropain, ka bërë të ditur se të enjten përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme, Josep Borrell, do të zhvillojë takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pas situatës së krijuar në Veri të Kosovës.

“Pas zhvillimeve të fundit në Veri të Kosovës, Josep Borrell, i mbështetur nga Miroslav Lajçak, do të organizojë një sërë takimesh për menaxhimin e krizave me Kurtin dhe Vuçiç-in në Bruksel”.

Diskutimet, sipas komunikatës zyrtare për media, do të fokusohen në gjetjen e mënyrave për të de-përshkallëzuar tensionet aktuale në mënyrë që Kosova dhe Serbia të rikthehen në zbatimin e Marrëveshjeve të dalura nga dialogu në veçanti Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit.

Që nga 26 maji tensionet në Veri të Kosovës u rritën si pasojë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për të instaluar kryetarët e sapozgjedhur në ndërtesat komunale nën asistencën e Policisë së Kosovës.

Ndërsa më 14 qershor, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, u përkeqësuan edhe më tej, pasi shteti i Serbisë, arrestoj tre zyrtarët policorë të Kosovës.

Serbia po pretendon se policët nga Kosova u arrestuan thellë brenda territorit të saj.

Në anën tjetër Kosova tha se ata ishin brenda territorit të vendit.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara i kanë paraqitur kryeministrit Kurti, tri kërkesa sa i përket tensioneve: qetësimin e situatës në veri të Kosovës, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore