Lajme

Stanishiç dhe Simatoviç dënohen me nga 15 vite burgim


Jovica Stanishiçit dhe Franko Simatoviçit iu është rritur dënimi nga 12 në 15 vite burgim nga gjyqtarët e apelit të OKB-së duke i konsideruar ata përgjegjës për përfshirje në krime në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në një qytet në Kroaci.

Ata u cilësuan si anëtarë të një plani të përbashkët kriminal për t’i dëbuar joserbët nga këto zona, gjatë luftërave ballkanike të viteve të 90-ta.

Gjykatësja kryesuese, Graciela Gatti Santana, tha se të dy burrat, tani në të 70-tat, “ndanë synimin për ta çuar përpara qëllimin e përbashkët kriminal për t’i larguar me forcë dhe përgjithmonë shumicën e jo-serbëve nga zona të mëdha të Kroacisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës nëpërmjet kryerjes së krimeve për të cilat akuzohen në aktakuzë”.

Kryeprokurori i Mekanizmit Ndërkombëtar për Gjykata Penale, Serge Brammertz, e quajti vendimin për rritjen e dënimeve për dy bashkëpunëtorët e Millosheviç-it “me të vërtetë të rëndësishëm”.

“Ky është i vetmi vendim që kemi ku zyrtarë nga Beogradi janë të dënuar si pjesë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale”, tha ai.

Stanishiç ishte në gjykatë gjatë seancës dëgjimore, ndërsa Simatoviç e ndoqi atë përmes një video-lidhjeje nga një njësi paraburgimi e OKB-së.

Stanishiç dhe Simatoviç u dënuan dy vjet më parë për ndihmë dhe nxitje për vrasje dhe krime të tjera të kryera nga paraushtarakët serbë në vitin 1992 në qytetin Bosanski Samac në Bosnjë e Hercegovinë, por u liruan nga përgjegjësia për krime të tjera.

Stanishiç, ish-kreu i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë, dhe Simatoviç, zyrtar i lartë i inteligjencës në këtë shërbim, janë të vetmit zyrtarë serbë që janë dënuar nga një gjykatë e OKB-së për përfshirje në krime në Bosnje e Hercegovine.

Stanisiç dhe Simatoviç fillimisht ishin liruar një dekadë më parë nga gjykata e OKB-së për krimet e luftës në Jugosllavi, por një Gjykatë e Apelit më vonë urdhëroi një rigjykim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore