Shqipëria

Spiropali, opozitës: Nuk i kontrabandoni dot hallet tuaja në kurriz të Kosovës


Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali nuk i ka kursyer kritikat ndaj opozitës duke deklaruar se “po kontrabandojnë hallet e tyre në kurriz të Kosovës”.

Reagimi i përfaqësueses socialiste erdhi pas kërkesës së deputetit demokrat Tritan Shehu, për miratimin e rezolutës mbi dënimin e gjenocidit serb në Kosovë.

“Humbja juaj sot është më e madhe se në 2019-ën ku nuk morët pjesë farë. Kjo fitore flet shumë për punën dhe ofertën tonë. Rrini brenda kufijve të Republikës dhe mos kaloni Morinën sa herë keni hallet tuaja. Nuk i kontrabandoni dot hallet tuaja në kurriz të Kosovës”, shprehu Spiropali nga foltorja e Kuvendit.

Ajo i numëroi opozitës gjashtë zgjedhjet e fundit të organizuara duke i cilësuar si “humbje pa asnjë mësim”.

“2013, 2015, 2017, 2019, 2021, 2023 – 6 palë humbje dhe asnjë mësim. Sipas jush o fitoni ju, o janë të manipuluara. Dikur e thoshit për ta justifikuar tani e besoni. Oferta tuaja për shqiptarët ka qenë vetë një: balta mbi kundërshtarin duke sjellë si alternativë, Ilirin, Saliun dhe Monikën”, vijoi ministrja shqiptare.

Deklarata e Shehut

Tritan Shehu u shpreh gjatë fjalës së tij se “Kosova është nën agresion nga Serbia dhe se Shqipëria nuk e miraton këtë rezolutë se qeveria ka hall se i mërzitet Aleksandër Vuçiç”.

“Një grup deputetësh kemi paraqitur prej një vit e ca një kërkesë për një mocion me debat ndaj gjenocidit serb në Kosovë. Ende nuk është futur në diskutim pranimi apo jo nga asambleja plenare e këtij diskutimi”, tha ai nga foltorja e Kuvendit.

Sipas tij, pa u dënuar ai gjenocid nuk ka askush të drejtë të kërkojë drejtësi.

“Parlamenti shqiptar nuk e kalon se mërzitet Vuçiç, ne heshtim në kundërshtim të plotë me rregulloren, me detyrimet e botës demokratike për të dënuar atë gjenocid”, vijoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore