Sport

Spalletti: Nuk ishim Napoli i vërtetë, prandaj u eliminuam


Cremonese ishte befasia e mbrëmjes së marte në futboll, teksa mposhtën një nga ekipet me formën më të mirë momentale në Evropë.

Ky klub, që në këtë sezon u promovua në Serie A, e eliminoi Napolin në fazën e 1/8-ve të finales së Kupës së Italisë, duke e mposhtur pas ekzekutimit të penalltive.

Fillimisht, ata e morën avantazhin në pjesën e parë, pastaj po në 45 minutat e para napolitanët e përmbysën rezultatin, por tre minuta para se të përfundonte takimi, mysafirët barazuan dhe ndeshja më pas shkoi në vazhdime dhe në fund në ekzekutimin e 11-metërshave.

Pas ndeshjes, foli në konferencën për media trajneri i Napolit, Luciano Spalletti, i cili tha se eliminimi i ekipit të tij erdhi pasi lojtarët shpërdoruan shumë raste.

“Jemi të mërzitur dhe të zhgënjyer nga ky eliminim”, tha fillimisht trajneri italian.

“Nuk ishim në atë formë që jemi mësuar të jemi në këtë sezon. Ndeshjen e kishim në dorë, pavarësisht disa topave që i humbëm lehtë”, shtoi Spalleti.

“Goli i tyre ishte një rastësi. Gabuam në shumë raste ku kishim epërsi numerike në sulm dhe më pas në shtesë ishim edhe të pafat pasi goditëm dy herë shtyllën. Por, kështu funksionon kur e lë ndeshjen të hapur dhe më pas gjithçka komplikohet”, thekson ai.

“Fakti që jemi jashtë Kupës vjen vetëm për arsyen se ne nuk u treguam ata që jemi në të vërtetë”, tha mes tjerash trajneri i Napolit, Luciano Spalletti.

Sa i përket tabelës në Serie A, Napoli vazhdon të kryesojë me 47 pikë, nëntë më shumë se Milan-i i vendit të dytë.

Ndërkohë Cremonese është në vendin e fundit në tabelë, me vetëm shtatë pikë të grumbulluara nga 18 ndeshje (ende nuk kanë asnjë fitore).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore