Shqipëria

“SPAK të veprojë ndaj inceneratorëve”, PD depoziton kallëzim penal për kryebashkiakun e Fierit


Partia Demokratike (PD) ka publikuar të enjten e 3 marsit disa dokumente, ku thuhet se në to provohet abuzimi me zbatimin e projektit për inceneratorin e Fierit dhe përfshirjen e kryebashkiakut, Armando Subashi.

Deputetja e PD-së, Dhurata Çupi, pohoi se PD do të depozitojë kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) për Subashin, ndërkohë që i ka bërë thirrje këtij institucioni të drejtësisë që të veprojë shpejt për këtë çështje.

“Me dhjetëra orë dëshmi në komisionin hetimor për inceneratorët nxorën para shqiptarëve të vërtetën e vjedhjes nga qeveria të 430 milionë eurove nga taksat tona. Përfshirja në këtë superaferë e drejtuesve më të lartë të qeverisë dhe të disa kryebashkiakëve tani është përtej çdo dyshimi”.

Sipas saj, kryebashkiaku i Fierit rezulton me disa shkelje të rënda të ligjit, që ka shkaktuar miliona euro dëm ekonomik, duke favorizuar në disa forma kontratën korruptive, koncesionare për ndërtimin e inceneratorit të Fierit.

“Ky është një nga rastet më flagrante, pasi inceneratori i Fierit nisi të merrte pagesa nga qeveria akoma pa nisur ndërtimin dhe akoma pa u përcaktuar se ku do të ndërtohej. Kryebashkiaku i Fierit ka përgjegjësi direkte për ndryshimin tri herë të vendit për ndërtimin e inceneratorit”.

Çupi ravijëzoi se “Subashi e vuri gishtin te një tokë private me pronar, shpronësimi i të cilës kushtoi 460 milionë lekë”.

“Është koha që drejtësia të bëhet e plotë. Nuk mundet që të kalojë në heshtje përgjegjësia e kryetarit të Bashkisë së Fierit për mospërmbushjen e kushteve të kontratës nga inceneratori i Fierit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore