Lajme

Sondazhi: Gjysma e qytetarëve serbë nuk besojnë se do ketë ndonjëherë paqe mes Kosovës e Serbisë


Qyteti i Beogradit

Afër gjysma e qytetarëve serbë nuk besojnë se ndonjëherë do të ketë paqe mes Kosovës dhe Serbisë.

Kështu thotë rezultati i një sondazhi të realizuar nga Qendra në Beograd për Politika të Sigurisë, i publikuar në raportin me titull “Qëndrimet e qytetarëve serbë në lidhje me raportet me Kosovën dhe Shqipërinë”.

Raporti është publikuar këtë vit, por të dhënat janë marrë gjatë 15 dhe 25 shtatorit të vitit të kaluar.

Siç tregohet në raport, mostra reprezentative e sondazhit është përbërë nga 1000 respondentë, në gjithë territorin e Serbisë, duke përdorur teknikën e intervistimit.

Në pyetjen se a do të ketë paqe ndonjëherë në mes të Kosovës dhe Serbisë, janë 43 për qind që thonë po, derisa mbetet një numër prej 42 për qind që ende mendojnë se nuk do të ketë paqe mes dy vendeve. Pjesa tjetër janë shprehur akoma të pavendosur.

Një nga pyetjet e sondazhit ka qenë edhe se a e mbështesin dialogun aktual që zhvillohet në Bruksel në mes të Kosovës e Serbisë?

Janë një shumicë prej 68 për qind që thonë po, derisa me përgjigje “jo”, janë deklaruar 19 për qind, 13 për qind thonë se nuk e dinë.

Në përqindje të lartë është edhe mbështetja për presidentin serb, Aleksandër Vuçiç dhe qasjen e tij në dialog.

29 për qind kanë thënë se Vuçiç është krejtësisht duke vepruar në linjë me qëndrimet e tyre, derisa janë edhe 27 për qind që kryesisht pajtohen me të, përveç disa vërejtjeve të vogla.

Vetëm 19 për qind nuk pajtohen me Vuçiç-in, kurse 25 për qind nuk e kanë një mendim të qartë.

Gjithashtu, janë 56 për qind të të intervistuarve që besojnë se Vuçiç do të ketë sukses në dialog dhe vetëm 26 për qind që nuk besojnë në suksesin e presidentit serb.

Janë pak më shumë se gjysma, 51 për qind, që besojnë se dialogu do të merr epilog përfundimtar brenda dy vjetësh, kurse 25 për qind e respodentëve thonë që kurrë nuk do të ketë një fund konkret.

Të pyetur se cili do ishte rezultati ideal i dialogut, qytetarët serbë janë shumë të ndarë.

25 për qind thonë se ideale në pikëpamjen e tyre do të ishte “rikthimi i Kosovës nën Serbi me autonomi të zgjeruar”.

Një marrëveshje pa njohje e përkrahin 17 për qind, kurse njohje në kufijtë aktualë thonë se do të pranonin 12 për qind dhe njohje me ndarje të Kosovës tetë për qind.

Është një numër i vogël i serbëve që ka pëlqim edhe për shkëmbim territoresh. Nëntë për qind e të pyeturve thanë se zgjidhje ideale do ishte shkëmbimi.

Një përqindje e madhe e të pyeturve janë treguar shpërfillës. 11 për qind deklarojnë se s’kanë kurrfarë mendimi, derisa edhe një pjesë prej 18 për qind pohojnë se nuk e kanë idenë se çfarë është zgjidhje ideale.

Të pyeturit, kryesisht, kanë thënë se janë të interesuar për çështjen e Kosovës dhe se informacionet kryesore se çfarë po ndodhë me Kosovën i marrin përmes televizionit.

73 për qind, shumicë dërrmuese, informohen nga televizori, kurse përqindja e mbetur ndahet në mes të tabloideve në internet, bisedave me miq dhe familjar.

Siç vërehet nga rezultatet e sondazhit, numrat në përkrahje të Vuçiç në këtë sondazh përafrojnë shumë me përkrahjen politike që kanë qytetarët për të.

Rreth këtyre numrave pritet të lëvizë edhe rezultati i zgjedhjeve të 3 prillit në Serbi.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë tashmë ka shënuar një dekadë. Një herë ishte konsideruar si dialog teknik ku bisedohej për rregullimin e çështjeve praktike që ndikojnë në jetën e qytetarëve. Më vonë u kthye në dialog politik ku bisedohej – pos tjerash – edhe për statusin e Kosovës.

Albanian Post ka realizuar një dokumentar me titull “10 vjet dialog” që në dy pjesë tregohet rrugëtimi i dy shteteve në procesin e dialogut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore