Aplikacione

Snap-i do të blejë me mbi 500 milionë dollarë WaveOptics


Kompania e mediave sociale, Snap Inc, ka njoftuar se do të blejë një kompani britanike të teknologjisë për realitetin e shtuar të quajtur WaveOptics me mbi 500 milionë dollarë.

Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se marrëveshja e arritur është konfirmuar nga një zëdhënës i Snap-it dhe do të ndihmojë aplikacionin e mesazheve fotografike, SnapChat, të shkojë drejt së ardhmes së syzeve të realitetit të shtuar, të cilat do të jenë të kudogjendura.

Snap-i nuk është kompania e vetme e botës së teknologjisë që po shkon drejt kësaj rruge. Ngjashëm kanë vepruar edhe Facebook-u apo Apple-i, të cilët po garojnë për të krijuar pajisje të realitetit të shtuar si kufiri i ardhshëm teknologjik pas telefonave inteligjentë.

Këto syze mund të lejojnë një përdorues të shohë drejtpërdrejtë udhëzimet e rrugës që ndodhet përpara ose të shohë informacione në lidhje me një pikë referimi në rrethinat e tyre.

Sipas Snap-it, do të paguhet gjysma e 500 milionë dollarëve ndaj Waveoptics në stok në mbyllje dhe gjysma tjetër do të paguhet në aksione në dy vjet.

Lidhur me kompaninë, Snap-i është i vendosur në Santa Monica, në California. Ndërsa selia e WaveOptics është në Oxford të Anglisë.

Gjatë kësaj jave, Snap-i ka prezantuar edhe versionin e ri të syzeve të tij Spectacles, të parat që përfshijnë realitetin e shtuar përmes dy kamerave të integruara, dy altoparlantëve dhe katër mikrofonave.

Mirëpo, ky version i ri i syzeve nuk do të jetë i disponueshëm për publikun e gjerë, por vetëm për zhvilluesit që aplikojnë realitetin e shtuar te përdorimi i syzeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore