Shqipëria

Skemat e inceneratorëve i kanë denoncuar Tatimet në Prokurori, sipas Ramës


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se skemat e denoncuara nga opozita për inceneratorët janë zbuluar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Lajmi u bë i ditur gjatë konferencës së përbashkët online me qytetarët dhe gazetarët.

“TVSH-të e devijuara apo të vdekurit që figurojnë…atë skemë e kanë zbuluar Tatimet e Shqipërisë dhe ajo skemë është denoncuar në Prokurori”, u shpreh fillimisht Rama.

Sipas tij, lidhur me këtë skemë prokuroria nuk ka bërë asgjë për fajtorët.

Më 12 korrik ishte deputeti demokrat, Belind Këlliçi, i cili denoncoi nga selia blu, rastin e një shtetaseje e cila edhe pse nuk jetonte më, në emër të saj figuronin 5.5 milionë euro.

“Qeveria e Edi Ramës, e kthyer në ‘qeveri të vdekjes’, punon për të kundërtën. Pasi rriti borxhin publik, duke zhytur në kamata të gjallët, nuk lë në paqe as të vdekurit. Kështu, edhe me Gjyste Sermin e ndjerë, të vdekur para dy vitesh, në emrin e së cilës figurojnë disa borxhe dhe padi në gjykatë”, denoncoi deputeti demokrat.

Në të njëjtën ditë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) do të pezullonte disa prej kompanive të cilat ishin aktive me inceneratorët.

Bëhej fjalë për kompanitë; “Froggy”, “Best Services”, “Frogy 03”.

SPAK nisi verifikimet më 5 korrik pas denoncimit të kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi.

Kryemadhi deklaroi se 24 kompani kanë kryer 189 milionë dollarë evazion fiskal të lidhura me inceneratorët.

Më 4 korrik, Kryemadhi paralajmëroi se do t’i paraqesë të tjera prova SPAK-ut, sa i përket çështjes së inceneratorëve.

Sipas saj, janë 24 kompani, të cilat janë të lidhura me njëra–tjetrën dhe dyshohet se kanë kryer evazion fiskal me shtetasin Klodian Zoto, emri i të cilit lakohet me çështjen e inceneratorëve.

“Ka blerje korruptive, të ndara në fatura të vogla, nuk blihet në llogari bankare që lëvizja financiare mos bëhet me llogari bankare, por kesh, e shitja nga fruta ekzotike në beton është bërë me pagesë bankare, por pagesat bankare nuk janë kryer. Përveçse pagesat nuk kryhen, kompanitë që kanë bërë blerje marrin dhe rimbursimin e TVSH-së”.

Kjo gjë është hedhur poshtë kompania e inceneratorëve “Integrated Energy”, nëpërmjet një postimi në median sociale Facebook.

Nga kompania kanë theksuar se nuk ka furnitorë asnjë nga subjektet e përmendura nga Kryemadhi.

“Për rrjedhojë nuk ka asnjë shkëmbim tregtar me asnjë prej tyre. Kompanitë që përmend Kryemadhi nuk janë bashkëpunëtore në veprimtaritë tona”.

Prokuroria po kryen hetimet e nevojshme, mes të cilave përfshihet edhe marrja në pyetje e dy të moshuarve, të cilët rezultojnë pronar pa dijeninë e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore