Kosova

Sistemi prokurorial kërkon që Kosova të anëtarësohet në EUROJUST


Foto nga zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.

Përfaqësuesit e sistemit prokurorial të Kosovës, kanë kërkuar që Kosova të jetë vëzhguese e përhershme në Agjencinë e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Drejtësinë Penale, EUROJUST.

Kërkesa është paraqitur gjatë një takimi mes presidentit të EUROJUST-it, Ladislav Hamran me u.d. kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, dhe prokuroren e PSRK-së, Ilirjana Çollaku – Tafa.

“Temë qendrore e takimit ndërmjet përfaqësuesve të institucionit të Prokurorit të Shtetit me Presidentin Hamran ishte avancimi i bashkëpunimit dypalësh, konkretisht nevoja e pranisë së Kosovës si vëzhguese e përhershme në EUROJUST, që u vlerësua si hap esencial për forcimin e bashkëpunimit të ndërsjellë”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga zyra e kryeprokurorit të shtetit.

Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka deklaruar se janë të vendosur të luftojnë krimin në të gjitha format.

Kështu, duke shprehur gatishmëri që bashkëpunimi të thellohet në të ardhmen.

“Ndërkaq, kreprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka folur për veprimet që PSRK i ka ndërmarrë në intensifikimin dhe avancimin e bashkëpunimit me EUROJUST-in, si dhe ka potencuar se PSRK do t’i përgjigjet në kohë dhe në mënyrë efektive të gjitha kërkesave dhe obligimeve që adresohen nga EUROJUST-i”.

Eurojust është Agjencia e Bashkimit Evropian për bashkëpunim në drejtësi penale.

Ajo është krijuar për të ndihmuar koordinimin dhe bashkëpunimin midis autoriteteve kombëtare që hetojnë dhe ndjekin penalisht krimet e rënda që prekin dy ose më shumë shtete anëtare të BE-së.

Teksa, misioni i saj është të përmirësojë efektivitetin e hetimeve dhe ndjekjeve penale në nivel ndërkombëtar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore