Lajme

Sindikatat protestojnë të premten – kërkojnë plotësimin e tri kërkesave


Ilustrim.

Sindikatat e punëtorëve të Kosovës do të protestojnë të premten e 7 prillit.

Përmes një komunikate nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, janë përsëritur tri kërkesat e këtyre sindikatave.

Kërkesa e parë është miratimi i Ligjit të Pagave sa më shpejt. Deri në atë kohë të niset me shtesa 100 euro për të gjithë të punësuarit që marrin paga nga buxheti i Kosovës.

Kërkesa e dytë është fillimi i zbatimit të Ligjit për Sigurimin Shëndetësor.

Ndërkaq e treta është për ndryshimin e Ligjit për Skema Pensionale, sidomos pika që thirret në Ligjin e Sigurisë Pensionale të 1983-s, e cila kërkon 15 vjet kontribut në skemat pensionale para datës 1 janar 1999.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ka bërë të ditur se protesta do të nisë nga ora 12:00 nga Bibloteka deri para ndërtesës së Qeverisë.

Edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Sindikata e Administratës Publike dhe e policisë, ishin shprehur të pakënaqur ndaj versionit të draft Ligjit për Pagat.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Ligji për pagat në Kosovë

Qeveria e Kosovës, në vitin 2019 e drejtuar në atë kohë nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradianaj, pati dërguar projektligjin për pagat në Kuvend, i cili ishte miratuar.

Ligji parashihet ngritjen e pagave të 70 për qind të shërbyesve civilë. Përmes këtij ligji, një mësimdhënësi të shkollës fillore do t’i rritej paga nga 470 euro në 612 euro, ndërsa një mjeku specialist nga 600 euro në 1 mijë e 195 euro.

Edhe për policinë edhe doganat ishin paraparë ngritje pagash, por jo edhe për zjarrfikësit.

Një protestë e punëtorëve në Prishtinë.

Por, institucioni i Avokatit të Popullit, në dhjetor të po atij viti, e kishte dërguar këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese, për siç thuhej, “vlerësimin e përputhshmërisë” së tij me Kushtetutën.

Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për pagat në sektorin publik.

Sipas vendimit, ligji nuk është në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës dhe shkakton “çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të jyqësorit dhe institucioneve të pavarura”.

Që nga korriku i viti 2019 e deri në mars të vitit 2021, Kosova ka pasur katër qeveri të ndryshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore