Shqipëria

Siguria rrugore, Balluku e Çuçi prezantojnë makinat inteligjente: Të pajisura me kamera dhe sistem radari


Në kuadër të projektit “Mirëmbajtje dhe siguri rrugore bazuar në rezultate”, Autoriteti Rrugor Shqiptar së bashku me Bankën Botërore, i kanë dhuruar Policisë së Shtetit dhjetë automjete të pajisura me sistemin e radarëve për monitorimin dhe ndëshkimin e drejtuesve të automjeteve të cilët konstatohen me shkelje.

E pranishme në dorëzimin e automjeteve ishte ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, drejtor i ARRSH-së, Evis Berberi dhe Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano.

Ata vendosën theksin te siguria rrugore, e cila mbetet një ndër prioritetet kryesore të qeverisë shqiptare.

Balluku tha se në bashkëpunim me partnerët janë hedhur një sërë hapash në drejtim të rritjes së sigurisë rrugore, siç janë eliminimi i shumë pikave të zeza në akset rrugore të vendit, vendosja e sinjalistikës, fushatat sensibilizuese dhe ato edukuese, si dhe puna e policisë rrugore në terren kanë ulur numrin e aksidenteve.

Gjatë fjalës së saj Balluku bëri me dije se qeveria shqiptare ka një tjetër projekt të rëndësishëm për sigurinë rrugore dhe që është ai për ngritjen e qendrës së kontrollit të trafikut.

“Ne jemi në një rrugë të mirë për sa i përket realizimit të projektit të qendrës së trafikut, pra monitorimit të trafikut, dhe shpresojmë që brenda vitit tjetër e gjitha kjo do përmbyllet me sukses, duke mbuluar 200 kilometrat e para të autostradave që janë dhe 200 kilometrat kryesore dhe më të rëndësishme”, deklaroi Balluku.

Sipas saj bashkëpunimi i të gjitha institucioneve, si dhe mjetet e duhura, janë një element i rëndësishëm për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Sërish ajo përmendi se duke nisur nga java e parë e muajit korrik, dy akse të reja rrugore do të jenë të hapura për qarkullimin e automjeteve, aksi Kardhiq-Delvinë dhe bypass-i i Vlorës, ku kërkoi bashkëpunimin e Policisë Rrugore për monitorimin e këtyre akseve, duke qenë rrugë të reja dhe disi të panjohura nga drejtuesit e automjeteve.

Gjatë fjalës së tij Çuçi duke u ndalur tek statistikat theksoi se pavarësisht rritjes së ndjeshme të numrit të automjeteve që qarkullojnë në rrugët e vendit, numri i aksidenteve me pasoja fatale ka ardhur duke u ulur falë edhe masave të ndërmarra përmes monitorimit dhe ndëshkimit të drejtuesve të automjeteve të cilët shkelin rregullat e qarkullimit rrugor. \

Përmes këtyre dhjetë automjeteve të reja, shtoi ministri i Brendshëm, do të bëhet e mundur një monitorim akoma edhe më efikas i akseve rrugore.

“Në 2018-ën ne kemi pasur rreth 570 mijë makina në qarkullim dhe kanë qenë 213 aksidente me pasojë vdekjen. Në 2021 kemi pasur rreth 740 mijë makina dhe kemi pasur 197 aksidente me pasojë vdekje. Pra indeksi i vdekshmërisë ka rënë ndjeshëm vetëm në këto vite”, vijoi Çuçi.

Ndër të tjera ai u shpreh se, ”kjo flotë pa diskutim që do ndikojë për ta rritur më shumë sigurinë rrugore”.

“Vetëm me një automjet inteligjent para dhjetë muajsh vendi ka pasur rezultate fantastike për sa i takon identifikimit të personave që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor, kryesisht ato që lidhen me shpejtësinë dhe i ka gati dyfishuar gjobat për këtë qëllim”, deklaroi Çuçi.

Sistemi i radarit i montuar në automjetet e reja të cilat ju dorëzuan Policisë së Shtetit bëjnë të mundur dedektimin e automjeteve me shpejtësi të lartë duke dokumentuar shkeljen me foto.

Kontrollon automjetin dhe dokumentacionin e drejtuesit duke konsultuar sistemet e të dhënave të policisë në kohë reale. Lexon të gjitha targat e automjeteve dhe i krahason me sistemin qendror të targave nëse këto targa janë problematike ose kanë shkelje të mëparshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore