Lajme

Si t’i kuptojmë zgjedhjet në Veri? – Dy komente nga Visar Ymeri e Afrim Kasolli për Albanian Post


Foto nga Albanian Post

Zgjedhjet në veri u mbajtën, por nga mbi 40 mijë qytetarë me të drejtë vote, votuan vetëm diçka më shumë se 1 mijë.

Ato, sipas ligjeve të Kosovës, janë legale, por nuk kanë legjitimitet, sepse në katër komunat e banuara kryesisht me shumicë serbe votuan pos 13 serbë.

Kryetarët e këtyre komunave tash do jenë shqiptarë dhe ata s’janë të zgjedhurit e shumicës atje.

Çfarë ndodhë tani?

Albanian Post ka pyetur Visar Ymerin, ish-kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe filozofin Afrim Kasolli për nga një perspektivë rreth absurdit të situatës në Veri.

Komenti i Visar Ymerit për AP:

Kryetarët e sapo zgjedhur gëzojnë legjitimitetin legal, meqë zgjedhjet kanë qenë të organizuara në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet pozitive në Kosovë, si dhe kanë qenë mundësi që të gjithë të marrin pjesë në to pa dallim.

Mirëpo situate politike në katër komunat e veriut të Kosovës është sfidë që shkon përtej parimeve kushtetuese e ligjore të vendit. Rrjedhimisht qeverisja, përkundër fitores në zgjedhje, do të jetë sfiduese. Dhe këtë besoj do ta shohim ditëve në vijim.

Një gjë është e qartë: Kryetari i komunës në Kosovë zgjidhet përmes votës së drejtpërdrejt, mekanizëm parimor ky që flet për rëndësinë e qeverisë lokale në raport me popullatën që e qeverisë.

Sëkëndejmi është jetike që kryetari i komunës të jetë i pranueshëm për qytetarët të cilëve u shërben. Në katër komunat e veriut do të kemi kryetar që nuk janë të pranueshëm nga qytetarët të cilëve do të duhej t’u shërbenin. Ky është problem madhor i cili do të shfaqet në secilën ditë pune të kryetarëve të posazgjedhur.

Visar Ymeri, Drejtor Ekzekutiv i IPS Musine Kokalar

Nëse jo, a duhet të ketë zgjedhje sërish?

Përtej zgjedhjeve qëllimi kryesor i institucioneve qendrore të vendit, dhe një prej qëllimeve kryesore të dialogut ka qenë dhe mbetet integrimi i komunitetit serb në veri në institucionet e Republikës së Kosovës.

Zgjedhjet janë mekanizëm që e legjitimon dhe përkrah këtë integrim. Prandaj konsideroj që kurdo që të kemi marrëveshje për kthimin e serbëve në institucionet e Republikës pashmangshëm do të kemi edhe zgjedhje të reja për legjitimimin dhe legalizimin e një situate të re.

Reagimet e brendshme nga disa prej Ambasadave në Prishtinë tregojnë se, përkundër njohjes së afateve kushtetuese për organizimin e zgjedhjeve, zgjedhjet e djeshme nuk shihen si zgjidhje.

Pra problem politik vazhdon të ekzistojë. Dhe fokusi kërkohet të jetë në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit/Ohrit. Me një fjalë të ecet më shpejtë në themelimin e Asociacionit.

Zgjedhjet e djeshme e kanë shpërfaqë brutalisht e konstatuar publikisht se rrugë tjetër, përveç marrëveshjes për Asociacion, nuk ka. Dhe këtu është fokusi i të gjitha vendeve mike e partnere të Kosovës, që ta ndihmojnë procesin e themelimit të Asociacionit dhe procesin e normalizimit të marrëdhënieve të brendshme mes Institucioneve qendrore me komunitetin serb dhe normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

 

Komenti i Afrim Kasollit për AP:

Në aspektin juridik ekziston një dallim ndërmjet legjitimitet dhe legalitetit. Në aspektin legal mbase këto zgjedhje mund të konsiderohen se e plotësojnë këtë kusht, sepse ato u mbajtën në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe ligjore të vendit. Por vështirë të thuhet se ato janë legjitime sa i përket përfaqësimit politik qytetar me këtë pjesëmarrje shumë të ulët të qytetarëve në ato komuna. Po ashtu, KQZ pa asnjë shpjegim të duhur juridik dhe procedural, e reduktoi numrin e zonave zgjedhore duke ngritur dilema që kjo mënyrë e organizimit a u ofroi kushte të barabarta formale për votim të gjithë qytetarëve në atë rajon.

Po ashtu, mungesa e lojalitetit politik nga ana e banorëve vendas për kryetarët e rinj të komunave në atë pjesë do të bëjë të vështirë që ata ta ushtrojnë funksionin e tyre. Sepse, të tillët kanë për mandat ta qeverisin një shoqëri, që duhet ta themi hapur do të ketë qëndrim armiqësor ndaj tyre. Për më tepër kjo situatë mbart potenciale për radikalizëm të gjendjes së sigurisë. Kurse se si do të gjendet zgjidhja, pra a do të përsëriten zgjedhjet? Apo do të kërkohet ndonjë model tjetër i daljes nga kjo situatë, do të varet në masë të madhe nga procesi politik i dialogut.

 

Afrim Kasolli
Afrim Kasolli, ish Këshilltar i Ministrisë së Drejtësisë, Analist Politik

Në fakt pas këtij procesi do të intensifikohet angazhimi ndërkombëtar dhe presioni mbi Kosovën, për të kërkuar një zgjidhje për këtë problem shtesë që u krijua. Sepse, këto zgjedhje nuk e zgjidhin krizën në atë pjesë të Kosovës. Përkundrazi, ka shansa që ajo të rëndohet me shumë. E ky komplikim i situatës do ta detyroi Kosovën të organizoi përsëri zgjedhje, por tani më pasoja më të renda. Askush nga diplomatët ndërkombëtarë nuk do të pajtohet se shtegdalja mund gjendet për aq kohë sa banorët lokalë nuk kanë struktura përfaqësuese legjitime komunale.  Pra, insistimi nga qeveria e Kosovës që ato të mbahen me argumentin se proceset legale dhe kushtetuese nuk mund të mbesin peng nga një parti politike, sikur se është Lista Serbe, në këtë mënyrë vetëm sa politikisht e ka arritur efektin e kundërt. Ngase ka dëshmuar se ajo politikisht e ruan monopolin e përfaqësimit të serbeve dhe se mbetet i vetmi faktor i adresimit të kërkesave të tyre.

Është thënë në vazhdimësi nga të gjithë ata diplomatë ndërkombëtarë, që nga i dërguari special amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobari, (madje Escobar, ka insistuar se pret që deri me 2 maj, kur është paraparë të mbahet takimi ndërmjet kryeministrit A. Kurti dhe presidentit serb A.Vuqic, që pala kosovare të ofrojë propozime konkretet për themelimin e Asocaciionit), përfaqësues të Bashkimit Evropian, e të vendeve të Kuintit, se pas këtyre zgjedhjeve formimi i Asocacionit është obligim i domosdoshëm.

Në këtë mënyrë më qeveria e Kosovës nuk mund ta shmang këtë detyrim. Dhe kjo temë sipas të gjitha gjasave do të jetë prioritet në tavolinën e bisedimeve në Bruksel. Në këtë mënyrë, qeveria e Kosovës me mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, mund të krenohet për përftime momentale juridike, por në fakt  vetëm sa i ka shtuar vetës një presion të dyfishtë, sepse me ato as nuk e ka zgjidhur krizën politike ne veri dhe njëkohësisht e ka ekspozuar vetën ndaj presionit ndërkombëtar për ta themeluar domosdoshmërisht Asociacionin sa më shpejt që te jetë e mundur, por se tani në një ambient edhe më fragjil politik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore