Lajme

Si ka ndërhyrë Kina në zgjedhjet kanadeze?


Përfundimet në konferencën e inteligjencës top-sekret ishin të zymta.

Një prej tyre ishte se Kina ka ndërhyrë “në mënyrë klandestine dhe mashtruese” në zgjedhjet federale të Kanadasë 2019 dhe 2021, duke kërkuar të mbështesë kandidatët e favorshëm për interesat strategjike të Pekinit.

Aktiviteti kishte për qëllim të dekurajonte kanadezët që të votonin për Partinë Konservatore, e cila u pa si një platformë kundër Pekinit, sipas Shërbimit Informativ Kanadez të Sigurisë.

Kina – në të dyja zgjedhjet – mori rezultatin që donte: rizgjedhjen e kryeministrit Justin Trudeau me qeveritë e pakicave.

Por zyrtarët e inteligjencës kanë thënë se nuk ka prova që përpjekjet e Pekinit kishin një ndikim në rezultat.

Dokumenti u përgatit për zyrën e kryeministrit pasi mediat kanadeze raportuan vitin e kaluar mbi dokumentet e zbulimit që pretendonin se Kina kërkonte të ndërhynte në zgjedhje.

Tani, këto pretendime janë në qendër të një hetimi publik në Otava.

Trudeau, i cili i rezistoi prej kohësh presionit nga partitë opozitare për të nisur një hetim publik, do të dëshmojë përpara Gjykatës së Apelit të Quebec Marie-Josée Hogue të mërkurën.

Hetimi nisi me dëgjimet publike në janar dhe do të përfundojë në vjeshtë. Pritet të dëgjohen dëshmitë nga dhjetëra dëshmitarë, duke përfshirë zyrtarë të zgjedhjeve, anëtarë të grupeve të diasporës, spiunin më të lartë të vendit dhe këshilltarët më të afërt të Trudeau.

Zyrtarët e inteligjencës kanë paralajmëruar se raportet që janë paraqitur si prova në hetim mund të përmbajnë informacion që nuk është i vërtetuar dhe i bazuar në një burim të vetëm.

Kanë paralajmëruar gjithashtu se përfaqëson një fotografi në kohë, dhe informacionet e mëvonshme mund të kenë dalë që atëherë për të zhvlerësuar gjetjet.

Sakaq Gjykata e Apelit do të publikojë një raport të ndërmjetëm në maj dhe një raport përfundimtar në dhjetor.

Çfarë po bënte Kina?

Një raport sekret i inteligjencës i vitit 2021 i prezantuar si provë e identifikoi Kinën si aktoren “më të rëndësishme” të ndërhyrjes së huaj, që vepron në një mënyrë “të sofistikuar, të përhapur dhe të vazhdueshme” për të synuar politikanët në të gjitha nivelet e qeverisjes.

Referuar raportit, Kina përdor përfaqësues, entitete shtetërore, zyrtarë kinezë në Kanada, diasporën e saj, media në gjuhën kineze dhe “nxitje ose mjete shtrënguese” për të arritur qëllimin e vet: sigurimin e zgjedhjes së kandidatëve “të perceptuar për më tej ose të paktën që kundërshtojnë në mënyrë aktive” interesat e Pekinit.

Disa objektiva nuk janë në dijeni të interesit të Kinës, thuhet në raport. Kurse të tjerët ‘bashkëpunojnë me dëshirë”.

Një raport sekret i fshehtë i inteligjencës nga viti 2021 ka nxjerrë se kishte disa artikuj në mediat në gjuhën kineze dhe në WeChat që përmbanin pretendime të rreme për kandidatët e Partisë Konservatore përpara zgjedhjeve të atij viti për të bindur kinezët në Kanada që të votonin për ta.

Teksa nuk kishte “prova të qarta” që qeveria kineze drejtoi fushatën, raporti nxorri se kishte “tregues të koordinimit të mundshëm” midis organeve të lajmeve në gjuhën kineze në Kanada dhe atyre të Partisë Komuniste Kineze.

Hetimi ndërkaq është fokusuar edhe në një garë nominimi të Partisë Liberale në vitin 2019 për një zonë zgjedhore jashtë Torontos.

Një raport i inteligjencës i vitit 2020 ka nxjerrë se zyrtarët e qeverisë kineze “ka të ngjarë të kenë manipuluar” atë garë, e cila u fitua nga Han Dong. Ai u zgjodh më vonë në garën federale të atij viti.

Dong dëshmoi se ai kishte kërkuar mbështetjen e studentëve ndërkombëtarë nga Kina që studionin në një shkollë të mesme private.

Ata u futën me autobus për të votuar për të në garën e nominimit, por ai tha se nuk e dinte se kush e kishte marrë me qira autobusin.

Në fakt, ai kujtoi se kishte kërkuar mbështetjen e tyre pasi gruaja e tij ia kujtoi këtë pak para dëshmisë së tij.

Nuk është kundër rregullave që studentët ndërkombëtarë të votojnë në një garë emërimi të Partisë Liberale për sa kohë që ata jetojnë në atë zonë zgjedhore.

Por një përmbledhje e paklasifikuar e inteligjencës ka zbuluar se kishte indikacione se një agjent i njohur përfaqësues i qeverisë kineze u dha studentëve që nuk jetonin në distrikt dokumente të falsifikuara.

Dhe se konsullata kineze kërcënoi se do t’ua revokonte vizat studentore ose do të ndëshkonte anëtarët e familjes së tyre në Kinë nëse nuk do të votonin për Dong.

Sipas përmbledhjes, disa nga informacionet iu raportuan zyrtarëve të inteligjencës përpara zgjedhjeve, por “nuk ishin të vërtetuara fort”, ndërsa informacione të tjera dolën në dritë pas votimit.

Dong u largua nga grupi i Liberalëve vitin e kaluar dhe tanimë është i pavarur.

Ndërkohë, Kina ka mohuar prej kohësh ndërhyrjen në zgjedhjet e Kanadasë.

A ndërhynin edhe aktorë të tjerë?

Raportet e inteligjencës të paraqitura si prova në hetim e quajtën Indinë si një vend që angazhohet “aktivisht” në ndërhyrje të huaja, duke punuar përmes zyrtarëve indianë në Kanada dhe duke kërkuar të shfrytëzojë komunitetin e saj të madh të diasporës “për të formuar rezultatet politike në favor të vet”.

Një përmbledhje e paklasifikuar e inteligjencës ka nxjerrë në pah po ashtu se një agjent përfaqësues mund të ketë ofruar në mënyrë klandestine financime të paligjshme për kandidatët pro Indisë – ndoshta pa dijeninë e tyre.

India, referuar raporteve të inteligjencës, është e përqendruar në shtypjen e mbështetjes për një lëvizje separatiste që kërkon të gdhend nga India një shtet të pavarur Sikh të quajtur Khalistan.

E se kërkon të kundërshtojë rizgjedhjen e kandidatëve që perceptohen se zotërojnë pikëpamje pro-Khalistani.

Më parë, Ministria e Punëve të Jashtme e Indisë i ka hedhur poshtë pretendimet se ka kërkuar të ndërhyjë në punët e brendshme të Kanadasë si “të pabaza”.

Mirëpo Trudeau në shtator ka thënë në Parlament se kishte “pretendime të besueshme” se agjentë të qeverisë indiane qëndronin pas vrasjes së një udhëheqësi separatist Sikh në Kolumbinë Britanike vitin e kaluar.

Por sërish India i ka mohuar akuzat.

Pakistani përmendet gjithashtu në dokumente, megjithëse identifikohet si një aktor “i kufizuar”.

Megjithatë synimet e tij janë të ngjashme me ato të Indisë dhe Kinës: të mbështesë në mënyrë klandestine kandidatët me pozicione të favorshme për interesat e tyre.

Një raport top-sekret i vitit 2020 ka nxjerrë në dritë se Shërbimi Informativ Kanadez i Sigurisë, agjencia e spiunazhit të Kanadasë, ndërmori një “masë reduktimi të kërcënimeve” për të reduktuar përpjekjet e qeverisë së Pakistanit për të ndërhyrë në proceset demokratike të Kanadasë që patën një “efekt të prekshëm”.

Po Rusia?

Rusia posedon kapacitete “të fuqishme” të ndërhyrjes së huaj, sipas një raporti të inteligjencës të korrikut 2021 i paraqitur si provë në hetim.

Por i mungonte synimi për të ndërhyrë sepse partitë kryesore politike federale të Kanadasë janë kryesisht të bashkuara në qëndrimin e tyre ndaj Moskës.

Kremlini nuk pa asnjë përfitim në mbështetjen e njërës parti mbi të tjerat.

A u alarmua publiku për ndërhyrjet e supozuara në zgjedhje?

Përgjigjja është jo.

Në vitin 2019, qeveria federale krijoi një panel me nëpunës të lartë civilë dhe e ngarkoi atë të njoftonte kandidatët nëse ata kanë qenë objektivi i ndërhyrjes dhe të paralajmëronte publikun për kërcënimet ndaj integritetit të zgjedhjeve.

Anëtarët e panelit i thanë komisionit se nuk kanë bërë njoftime të tilla sepse asnjë nga inteligjenca që kanë shqyrtuar nuk e ka përmbushur pragun për njoftim.

Ata pohuan se rezultatet e përgjithshme të votave nuk u komprometuan.

Burokratët thanë se ndonjëherë informacioni që u jepej bazohej në një burim të vetëm, i pavërtetuar ose me besueshmëri të kufizuar.

Nuk ishte gjithashtu e qartë, thanë ata, nëse dezinformata po përhapej organikisht apo ishte e lidhur me një aktor të huaj.

Marrë nga “Washington Post”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore