Lajme

Shumica e vdekjeve në Libi mund të ishin shmangur, thotë OKB


Dega meteorologjike e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) ka shfaqur kritika për sistemet e paralajmërimit që ishin vendosur në Libi.

“Nëse shërbimi meteorologjik do të funksiononte normalisht, mund të ishin lëshuar paralajmërime”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i Organizatës Botërore Meteorologjike (WMO) Petteri Taalas.

Sipas tij, WMO ishte përpjekur më parë të ndihmonte autoritetet libiane me reformimin e sistemit meteorologjik.

Por këto përpjekje ishin penguar nga kërcënimet e sigurisë.

“Meqenëse situata e sigurisë në vend është kaq e vështirë, është e vështirë të shkosh atje dhe të përmirësosh situatën”, ka shtuar ai.

Nga ana tjetër, Qendra Meteorologjike Libiane këmbëngul se i ka paralajmëruar autoritetet.

Teksa WMO ka bërë me dije se shumë vdekje mund të ishin shmangur nëse do të kishte një shërbim të parashikimit të motit që funksiononte normalisht në Libi, autoritetet libiane thonë se kanë dhënë informacion për shtrirjen e stuhisë Daniel.

Qendra Kombëtare Meteorologjike Libiane lëshoi një deklaratë në fillim të kësaj jave duke këmbëngulur se kishte paralajmëruar autoritetet për reshjet 72 orë para përmbytjeve.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se në rajonet lindore është shpallur gjendja e jashtëzakonshme në bazë të këtyre paralajmërimeve.

Kryebashkiaku i qytetit portual Derna të Libisë lindore vlerëson se 18 mijë deri në 20 mijë njerëz kanë vdekur nga përmbytjet.

Abdulmenam Al-Ghaithi ka thënë për televizionin al-Arabiya se vlerësimi i tij bazohej në numrin e rretheve të shkatërruara plotësisht kur dy diga shpërthyen.

Më shumë se 5 mijë njerëz dihet se kanë vdekur dhe të paktën 10 mijë rezultojnë të zhdukur.

Shumë trupa mbeten nën rrënojat e ndërtesave të shembura ose në det.

Rrugët u rrënuan nga përrenjtë dhe trupat po nxirren nga uji.

Sakaq, dy qeveritë rivale në Libi po bashkërendojnë përpjekjet për ndihmë për viktimat e përmbytjeve.

Ekipet e shpëtimit kanë mbërritur nga vende si Egjipti, Tunizia, Italia, Spanja dhe Turqia.

Gjithçka që ka mbetur nga pjesa më e madhe e Derna-s janë rrënojat e ndërtesave të shembura dhe trupat e njerëzve të vrarë nga përmbytjet.

Çfarë ndodhi?

Një stuhi e fuqishme shkaktoi përmbytje shkatërruese në Libinë lindore.

Në Derna, një qytet me rreth 100 mijë banorë, dy diga u shembën për shkak të shiut të madh, duke çuar në një përrua të madh si cunami që përfshiu qytetin.

Familje të tëra u shpërndanë dhe lagje të tëra u zhdukën.

Dhjetëra mijëra njerëz janë zhvendosur.

Përmbytjet u shkaktuan nga stuhia Daniel, e cila goditi vendin e Afrikës Veriore të dielën dhe solli shi të dendur.

Ekipet libiane të shpëtimit tani po ndihmohen nga ekuipazhet ndërkombëtare në zonën e Derna-s.

Ndërkohë, qeveritë rivale të vendit afrikan kanë kërkuar ndihmë ndërkombëtare dhe po ndërlidhen me njëra-tjetrën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore