Lajme

Shuhet kongresmeni “më jetëgjatë” amerikan, Don Young


Përfaqësuesi republikan i Shteteve të Bashkuara, Don Young, ka ndërruar jetë gjatë së premtes.

Young u zgjodh për herë të parë në Kongres në vitin e largët 1973 dhe ishte anëtari aktual i tij më jetëgjatë.

Lajmi u bë i ditur nga zyra e tij përmes një deklarate.

Kongresmeni 88-vjeçar vdiq teksa po udhëtonte për në shtëpi në Alaskë, sqaroi zyra e kongresmenit.

“Trashëgimia e Don Young-ut si luftëtar për shtetin do të jetojë, ashtu si mirësia dhe nderi i tij themelor. Do të na mungojë shumë”, thuhet më tej në deklaratë.

Zyra e tij nuk zbuloi shkakun e vdekjes.

Anchorage Daily News raportoi se Young humbi vetëdijen gjatë një fluturimi nga Los Angeles në Seattle.

Raportimi i gazetës citoi Jack Ferguson, i cili kishte shërbyer si shef i stafit të Young.

Young ishte i vetmi anëtar i Alaskës në Dhomën e Përfaqësuesve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore