Lajme

Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane po e shtyjnë Izraelin të vonojë ofensivën tokësore


Pas lirimit nga Hamasi të dy pengjeve nga Gaza, Shtetet e Bashkuara dhe disa qeveri në Evropë po e shtyjnë në heshtje Izraelin që të ndalojë fillimin e një pushtimi tokësor të Gazës, nga frika se inkursioni do të shkatërrojë përpjekjet për të siguruar lirime të tjera pengjesh në të ardhmen.

Lajmi u bë i ditur nga The Times of Israel, duke cituar një zyrtar të lartë diplomatik.

Qeveritë perëndimore që aktualisht i bëjnë presion Izraelit kanë secila qytetarë në mesin e të pagjeturve dhe besojnë se sa më shumë kohë të kalojë, aq më e vështirë do të jetë të sigurohet lirimi i pengjeve, thotë zyrtari.

Qeveritë e pranojnë se një pushtim tokësor ka shumë të ngjarë dhe nuk po i thonë Izraelit të mos nisë fare një të tillë, përkundrazi të ndalet për të provuar nëse përpjekjet shtesë diplomatike mund të kenë sukses, shton zyrtari i lartë diplomatik.

Shtëpia e Bardhë refuzoi më herët komentin e mëparshëm të presidentit amerikan Joe Biden se Izraeli duhet të vonojë ofensivën e tij të pritshme në Gaza derisa të lirohen më shumë pengje të mbajtura nga Hamasi dhe grupet e tjera terroriste palestineze.

Ndërsa hipi në Air Force One më herët, Biden u pyet nga një gazetar nëse Izraeli duhet të shtyjë një operacion ushtarak në Gaza, të cilit ai u përgjigj, “po”.

“Presidenti ishte shumë larg. Ai nuk e dëgjoi pyetjen e plotë. Pyetja dukej si ‘A do të dëshironit të shihnit më shumë pengje të liruar?’ Ai nuk po komentonte asgjë tjetër”, citohet të ketë thënë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Ben LaBolt nga Reuters.

Të paktën 46 persona mbetën të vrarë në sulmet ajrore izraelite në Gaza gjatë natës.

Njëzet e katër persona u vranë në një sulm ajror izraelit që goditi familjen al-Motawwaq në Jabalia. Një sulm ajror ndaj familjes al-Ajrami në Jabalia vrau 10 persona të tjerë.

Pesë persona nga familja Khader – katër fëmijë dhe një grua – u vranë gjithashtu, raporton Al Jazeera.

Shtatë persona të tjerë u vranë në sulmet ajrore izraelite në qendrën e Deir el-Balah dhe kampin e refugjatëve al-Bureij në qendër të Gazës.

Nga ana tjetër, një ushtar rezervë izraelit u vra dje në sulm me raketa antitank përgjatë kufirit me Libanin, sipas Forcave të Mbrojtjes të Izraelit.

Ushtari emërohet si Sgt i Parë. Omer Balva, 22. nga Herzliya.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thonë se kanë kryer sulme kundër shumë objekteve të Hamasit në Rripin e Gazës gjatë natës.

Vendet përfshijnë qendra komanduese dhe infrastrukturë të ndryshme që i përkasin grupit terrorist, thotë IDF-ja.

Ushtria shton se goditi gjithashtu një numër vendesh lëshimi të raketave antitank dhe pozicione snajperësh në ndërtesa të larta.

Zyrtarë të lartë izraelitë i thonë faqes së lajmeve Ynet se lirimi i dy shtetasve amerikanë të zënë rob nga Hamasi nuk do të ndikojë në planet e Izraelit për një operacion ushtarak kundër grupit terrorist që sundon Gazën.

Agjencia e lajmeve AP ka raportuar një zyrtar egjiptian të ketë thënë se dy kamionë që transportonin ndihma humanitare kishin hyrë në anën e Egjiptit të pikës kufitare me Gazën herët të shtunën, por kamionët nuk kishin kaluar ende në enklavën e rrethuar palestineze.

Pavarësisht se Izraeli njoftoi në fillim të kësaj jave se ndihmat shumë të nevojshme do të lejohen të hyjnë në Gaza nga Egjipti nëpërmjet kalimit Rafah, kufiri ka mbetur i mbyllur dhe ka pasur raportime për bombardime izraelite pranë pikës kufitare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore