Shqipëria

Shtëpi bari në periferi të Tiranës, 2 punonjës të OSHEE ishin pjesë e grupit


Jemi mësuar t’i shohim ato në lajmet e mediave britanike, ku thuajse çdo ditë pasqyrohen shqiptarë të arrestuar, të cilët zotërojnë apo punojnë në ato që njihen si “shtëpi bari”, por tashmë trendi britanik ka ardhur edhe shumë pranë Tiranës.

Mbrëmjen e kaluar, një e tillë është zbuluar në zonën e Ndroqit, gjatë një operacioni të koduar me siglën “Pinet”, ndërsa tre persona, janë arrestuar si pjesë e grupit kriminal.

Dy prej tyre, janë madje punonjës të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

Ambienti i zbuluar ishte kultivuar me bimë narkotike të llojit kanabis sativa. Me anë të llambave, ato ushteqeshin me dritë. Ndërsa, lidhja energjike, ishte e paligjshme dhe e kishin kryer pikërisht punonjësit e OSHEE-së.

I proceduar penalisht, ka qenë edhe kryeplaku i fshatit, si edhe një punonjës i Policisë.

Organizatorja e gjithë veprimtarisë sakaq, është shpallur në kërkim, pasi kishte marrë banesën me qira.

Shtetasja R. Xh., banesën e marrë me qira prej saj, së bashku me shtetasin E. D., i cili u kap në banesë gjatë ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, e kishin përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, ndërsa punonjësit e OSHEE, nuk kanë konstatuar lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike në këtë ambient, në zonën që ata kishin në monitorim.

Gjatë zhvillimit të operacionit janë sekuestruar 247 bimë kanabis të kultivuara në vazo, 45 ushqyes elektrikë, 46 llamba elektrike, 11 freskuese, shuma prej 120.000 lekë të rinj dhe 7 aparate celulare.

Materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore