Lajme

Shqiptarët në Luginë kërkojnë prapë anulim të zgjedhjeve – kishte përsëri parregullsi


Shaip Kamberi

Koalicioni i shqiptarëve të Luginës do të kërkojë anulimin e përsëritjes së votimit në zgjedhjet për deputetë në Tërnoc të Madh.

Kështu u ka thënë mediave, Shaip Kamberi, kandidat për deputet në Parlamentin e Serbisë, të cilit i ndikohej mandati i ardhshëm, drejtpërsëdrejti nga përsëritja e votimit me 27 maj në Tërnoc.

Afati për paraqitjen e kundërshtimeve në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve përfundon në mesnatë.

Në zgjedhjet të cilat u përsëritën për herë të dytë të premten në qendrën e votimit numër 6, Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës mori 598 vota, të pamjaftueshme për mandatin e deputetit.

Arsyeja për këtë anulim vjen nga parregullsitë që janë hasur gjatë procesit – parregullsi të përsëritura nga raundet e më hershme të votimit.

Se procesin do ta përcillnin probleme të tilla, u kuptua herët në mëngjesin e ditës së votimit.

Në një intervistë për Albanian Post, vetë Kamberi deklaroi se qysh në orët e para kanë filluar të vërehen presionet.

“Në afërsi të qendrës së votimit gjashtë, te shkolla, po shohim makina me tabela nga Vraja dhe qytete të tjera të Serbisë. Kjo për ne do të thotë se ka një interesim të madh të strukturave shtetërore, më saktësisht partive të cilat qeverisin me shtetin, për të bërë presion”, pati deklaruar Kamberi për AP.

Nëse Kamberi nuk arrin të futet në Kuvendin e Serbisë si deputet, atëherë në këtë legjislaturë nuk do të jetë asnjë përfaqësues i shqiptarëve.

Edhe mandatin e kaluar ishte vetëm një deputet, Shaip Kamberi.

Ai ishte zgjedhur lehtësisht, meqë partitë shqiptare në Luginë kishin gjetur pajtim për fushatë të përbashkët.

Në këto zgjedhje, janë rikthyer përçarjet mes tyre dhe nuk ka pasur konsensus për votimin e një kandidati.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore