Shqipëria

Shqipëria republikë, pa ditë republike


Duhej të ishte 11 janari i vitit 1946, por edhe pas 77 vjetësh, Shqipëria nuk e kremton një ditë të mirëfillte republike, pavarësisht celebrimit të përvitshëm në periudhën e komunizmit, deri në 1991-shin.

Kalimet e herë pas hershme politike kanë nxitur jo pak herë debate.

Dikur republikë popullore. Sot, republikë parlamentare.

Mirëpo, ende pa një vendim specifik – ndoshta si vend i vetëm në botë me këtë sistem politik – për të pasur një festë zyrtare të Republikës.

Vetë studiuesit, janë të dyzuar mbi çfarë konsensusi historik mund të arrihet, për të caktuar datën.

Për disa, si Erald Kapri, do të ishte e turpshme dhe aspak serioze, që data e respektuar për këtë ditë të veçantë, të ishte 11 janari dhe ai këtë e lidh me lindjen e diktaturës në Republikën e Shqipërisë, në këtë datë.

Siç ka argumentuar edhe më parë, Kapri mendon se imponimi i kësaj date, do të ishte në vendim nihilist dhe i cili e kthen pas vendin në kohë.

Në këtë rrafsh logjik nuk ka qenë një prej studiuesve më të njohur shqiptarë të historisë, Moikom Zeqo, i cili ndër intervistat e fundit që dha në jetën e tij, në janar të vitit 2020, e përforcoi nevojën për të pasur një ditë republike dhe faktin e tillë nuk e lidhin me komunizmin.

Ai tregon qartësisht ndarjen e sistemeve në botë, të cilat veprojnë si Monarki, ose si Republikë.

Për këtë arsye, ai e jep prerjen e këtyre të dyjave, me shpalljen e Mbretit Zog në Shqipëri, që e bëri Shqipërinë Monarki për një periudhë kohore e më pas me 11 janarin 1946, i cili do ta shpallte vendin përfundimisht Republikë.

Assesi nuk ka mundësi që kjo të zhbëhet sipas Zeqos dhe si e tillë, data mund të jetë vetëm një, duke mos marrë parasysh variacionet në të cilat republika aplikohet, të cilat mund të jenë qoftë popullore, siç ka qenë në Shqipëri në fillim, qoftë parlamentare, siç është tani, apo edhe në variacione të tjera.

Në vëmendje, ai sjell edhe shembujt e vendeve të tjera fqinje dhe ato të rajonit, të cilat të gjitha e kanë të shpallur ditën e Republikës dhe e festojnë atë.

Fjala bie, Italia, pavarësisht se e vendosur nën regjimit fashist, e kremton festën e Republikës më 2 qershor, ku viti i vendosjes është ai 1946.

Maqedonia e Veriut fqinje e feston më 2 gusht, Serbia më 11 janar, Mali i Zi më 11 janar, apo Greqia më 25 mars.

Në Shqipëri gjithsesi, debate vijon të mbetet shterpë, edhe me përpjekjet e njëpasnjëshme për ta mbajtur atë gjallë.

Një Republikë parlamentare, pa ditë republike…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore