Shqipëria

Shqipëria përfshihet nga moti i keq, Instituti i Gjeoshkencave referon zonat e rrezikuara


Shqipëria do të presë një përkeqësim të kushteve atmosferike pas një jave të nxehtë të lënë pas, ku parashikohen reshje me intensitet të lartë në veri dhe në qendër të vendit.

Kështu ka bërë me dije Instituti i Gjeoshkencave, ku ka paraqitur edhe një hartë me zonat më të rrezikuara.

Në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër dhe Lezhë mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave.

Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve.

Në qarkun Shkodër priten reshje intensive deri lokalisht shumë intensive, reshje intensive në qarqet Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës dhe Tiranë, reshje mesatare deri lokalisht intensive në qarqet Elbasan dhe Vlorë, ndërsa në pjesën tjetër të qarqeve priten reshje mesatare.

Reshjet do të shoqërohen me shtrëngata në të gjitha qarqet.

Sa i takon temperaturave, edhe ato pritet të pësojnë ulje të ndjeshme në krahasim me javën që u la pas.

Kështu, temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:

Në bregdet: 16 / 19 °C, në vendet e ulëta: 12 / 18 °C, në vendet malore: 9 / 14 °C.

Era ndërkaq pritet të fryjë e lehtë deri në mesatare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore