Shqipëria

Shqipëria nis negociatat me Greqinë për njohjen e pensioneve, hap pozitiv sipas ministres Xhaçka


Është zhvilluar këtë të premte të 9 shtatorit mbledhja e parë e komisionit të ekspertëve Shqipëri – Greqi për çështjet e sigurimeve shoqërore në Athinë.

Përmes një postimi në Facebook, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka thënë se diskutimet e bëra janë një hap i rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Diskutimet teknike dhe shkëmbimi i informacioneve është një hap tepër pozitiv në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për arritjen e marrëveshjes në fushën e pensioneve”, ka thënë Xhacka.

Sipas saj, kjo do të materializojë parimin e mbrojtjes sociale për çdo qytetar, i cili ka kontribuar aktivisht në ekonomitë e të dy vendeve.

Sakaq, pritet të miratohet marrëveshja për njohjen e sigurimeve shoqërore mes Shqipërisë dhe Zvicrës, pasi pak javë më parë kaloi për miratim në parlamentin e Zvicrës.

Kurse afro një muaj më parë, Shqipëria ka përfunduar negocimin teknik të marrëveshjeve me pensionet me Italinë. Ajo i vjen në ndihmë shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Itali.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore