Shqipëria

Shqipëria në nivelin “më të keq” të plotësimit të nevojave me energji të rinovueshme


Për plotësimin e nevojave të veta me energji të rinovueshme, Shqipëria renditet me nivelin “më të keq” në Ballkanin Perëndimor, me vetëm 30 për qind kapacitet.

Të paktën në këtë përfundim ka dalë një raport i fundit nga Komisioni Ekonomik OKB-së për Evropën (UNECE) dhe REN21 mbi statusin e energjisë së rinovueshme dhe efikasitetit të energjisë.

Energjia e rinovueshme dhe kursimi i energjisë janë zgjidhjet kryesore për zbutjen e ndryshimeve klimatike.

Në analizën e realizuar paralajmërohet për investime të ulëta në Evropën Lindore dhe Juglindore, Kaukaz dhe Azinë Qendrore.

Të dhënat treguan se lëndët djegëse fosile mbeten dominuese në ngrohje, ftohje dhe transport, të cilat përbëjnë 80 për qind të konsumit total të energjisë.

Sakaq, raporti vë në dukje se ekziston një potencial masiv i pashfrytëzuar për zhvillimin e energjisë së rinovueshme dhe përmirësimet e efikasitetit të energjisë në rajonin e Evropës Lindore dhe Juglindore, Kaukazit dhe Azisë Qendrore.

Dokumenti mbulon 17 shtete plus Kosovën. Ato përfshijnë të nëntë Palët Kontraktuese të Komunitetit të Energjisë, nga të cilat gjashtë përbëjnë Ballkanin Perëndimor.

“Në muajt e fundit kemi parë valë të forta të nxehtit në shumë vende dhe përmbytje dramatike në të tjera”, ka thënë sekretarja ekzekutive e UNECE Olga Algayerova.

Energjia e rinovueshme mbetet një zgjidhje kryesore për zbutjen e ndryshimeve klimatike, por ajo ka paralajmëruar se ndryshimi nuk po ndodh mjaft shpejt.

Raporti i Statusit të Energjisë së Rinovueshme të UNECE 2022 ofron një analizë të statusit të energjisë së rinovueshme dhe efikasitetit të energjisë.

Autorët kanë theksuar rritjen e ndërgjegjësimit brenda autoriteteve komunale në Ballkanin Perëndimor për lidhjen midis ndotjes së rëndë të ajrit dhe lëndëve djegëse fosile dhe nevojën për t’i hequr ato.

Përfundimi është se investimet janë shumë larg arritjes së objektivave klimatike.

Rana Adib, sekretarja ekzekutive e REN21, ka treguar se në rajonin e vëzhguar, vetëm Rusia dhe katër vendet e Azisë Qendrore, të cilat janë të gjitha prodhuese të lëndëve djegëse fosile, janë të vetë-mjaftueshme.

Pastaj vjen Bjellorusia, me mbi 70 për qind, e ndjekur nga Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi.

Ato plotësojnë gjysmën e nevojave të tyre për energji brenda vendit.

Kurse Serbia është e para me kapacitet të shtuar të energjisë së rinovueshme në Ballkanin Perëndimor në terma absolutë nga viti 2017 deri në vitin 2021 – 0.5 GW.

Ndërsa Mali i Zi është i fundit, me vetëm 0.1 GW.

Adib ka ravijëzuar se vendet në rajonin e synuar të UNECE, pavarësisht përmirësimeve në vitet e fundit, kanë intensitet të lartë të energjisë, gjë që tregon se ka shumë hapësirë për efikasitet energjetik.

Sipas saj, subvencionet për lëndët djegëse fosile mbeten të larta dhe tarifat për energjinë elektrike nga karburantet fosile dhe centralet bërthamore janë ende artificialisht të ulëta

Po ashtu një zvarritje e madhe është regjistruar në investime.

“Shumica e vëmendjes ka qenë në zhvillimin e energjisë së rinovueshme. Realiteti është se po konsumojmë rreth 80 për qind të energjisë për ngrohje, ftohje dhe transport”, ka vijuar Adib.

Dhe se ata janë sektorët që kanë nevojë për më shumë fokus për ndryshimin.

Pjesa e burimeve të rinovueshme në totalin e energjisë përfundimtare ka mbetur e pandryshuar në të gjithë rajonin e vëzhguar nga viti 2014 në 2019, në 18.2 për qind.

Në kategori përfshihet biomasa tradicionale, e cila është kryesisht përdorimi i drurit për ngrohje. Dhe disa nga faktorët më të rëndësishëm janë ngadalësimi i hidrocentraleve dhe rritja e motorizimit

Ekspertja e energjisë së rinovueshme, Naida Taso, ka thënë se qeveritë duhet të vendosin objektiva afatgjata ambicioze, të kryejnë reforma në sektorin e energjisë, të ridrejtojnë subvencionet e karburanteve fosile te burimet e rinovueshme dhe të prezantojnë çmimet e karbonit.

Ajo ka vënë në dukje se zgjidhjet e tjera thelbësore për rritjen e shkallës së vendosjes së energjisë së gjelbër janë thjeshtimi i procedurave të lejeve apo skemave mbështetëse të bazuara në treg.

Marrë nga “Balkan Green Energy News”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore