Shqipëria

Shqipëria mund të kthehet në një vend të ndërgjegjshëm ndaj turizmit, thotë Zv/Presidenti i KE-së


Frans Timmermans, zëvendëspresidenti Ekzekutiv i Komisionit Evropian, ka dhënë disa sugjerime për Shqipërinë që të tërheqë markë të re turistësh duke e kthyer vendin në më të përgjegjshmin ndaj turizmit.

“Shqipëria në një të ardhme të afër do të bëhet anëtare e BE-së. Puna ime kryesore është ta vendos Evropën në drejtim e të bëhet neutrale në vitin 2030”, ka thënë ai.

Sipas tij, ka pasur shumë programe.

“Duhet të punojmë mjaft ngushtë me partnerët në mbarë botën për të arritur sukses. Vendi ku jemi sot ka disa nga plazhet më të mira. Keni mundësi të bëni zgjedhje të reja. Keni disa prej maleve më të bukura që keni parë ndonjëherë”, ka theksuar ai.

Sakaq, inkurajon autoritetet shqiptare t’i zhvillojnë mundësitë që ka vendi.

“Keni shumë për të ofruar. Ndoshta s’do jeni luksoz se ka vende që ndërtojnë industri luksoze, por mund të jeni vendi më i ndërgjegjshëm ndaj turizmit, mund të tërhiqni markë të re turistësh. Kjo është një mundësi për Shqipërinë”, ka vijuar Timmermans.

Ai ka bërë thirrje për uljen e gjurmës së karbonit. “17 për qind shkaktohet nga udhëtimi. Të punojmë me industrinë ajrore. Duhet të kemi një ide më modulare. Mund të bëjmë diçka me trenat nëse fusim trenat e natës, ndoshta të përdorim biçikletat”.

“Çfarë nuk duhet bërë është të thuash që s’duhet të udhëtoni se ndikon në klimë, por duhet të udhëtoni në mënyrë të ndërgjegjshme”, ka shtuar ai.

Turizmi, për të, është demokratizuar.  “Shqipëria mund të na tregojë markat e turizmit dhe Komisioni Evropian do të punojë me kënaqësi me ju”.

Timmermans është i ngarkuar i posaçëm i Bashkimit Evropian sa i takon marrëveshjes për agjendën e gjelbër dhe ligjet evropiane mbi klimën.

Me një qëndrim dyditor në vend, Timmermans pritet të zhvillojë takime me rëndësi dhe të shtyjë çështje si tranzicioni i gjelbër në Ballkan, përmirësimi i klimës së turizmit dhe hapat që duhen ndërmarrë nga ndryshimet klimatike.

Sipas agjendës zyrtare të publikuar nga Komisioni Evropian, zëvendëspresidenti do të marrë pjesë në Forumin Ndërkombëtar të Turizmit, si edhe do të zhvillojë takime me përfaqësues qeveritarë dhe sipërmarrës.

Mbrojtja e mjedisit, së bashku me energjinë e gjelbër, do të jenë çështje madhore për Timmermans, duke parë edhe zhvillimin që Shqipëria ka në të dy sektorët, me burimet hidrike, si edhe me shpalljen së fundmi si Park Kombëtar, të lumit Vjosa.

Ditën e parë, Zëvendëspresidenti Ekzekutiv do të ketë një takim dypalësh me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Ai do të takohet gjithashtu me zëvendëskryeministren Belinda Balluku, ministren e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Turizmit të OKB-së, Zurab Pololikashvili dhe do të ketë një tryezë të rrumbullakët me organizatat e shoqërisë civile mjedisore.

Në mbrëmje ai do të mbajë një fjalim kryesor në Forumin Ndërkombëtar të Turizmit “E ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri (FESTA)” .

Më tej, të martën, ai do të ketë takime me Kryetaren e Komisionit të Integrimit në BE pranë Kuvendit të Shqipërisë, Jorida Tabaku.

Ai do të vizitojë gjithashtu shkollën “Dhosi Liperi” në qytetin e Durrësit, e cila është pjesë e programit ‘EU4Schools’, të financuar nga BE-ja, i cili fokusohet në përshpejtimin e procesit të rimëkëmbjes pas tërmetit të nëntorit 2019, përmes riparimeve dhe rindërtimit të shkollave.

Vizita e zyrtarit të lartë do të përmbyllet me një turne në fermën Bonum Agroturizem të financuar nga BE-ja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore