Shqipëria

Shqipëria e linjëzuar me BE-në për izolimin e Rusisë, thekson Xhaçka


Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka treguar se Shqipëria është krejtësisht e linjëzuar me vendet e Bashkimit Evropian, sa i takon një izolimi të mëtejshëm të Rusisë pas agresionit në Ukrainë, si edhe ka kërkuar prej vendeve të unionit që ta mbështesin Shqipërinë në rrugën drejt integrimit dhe hapjes së kapitujve të parë negociues.

Nga Brukseli, ku edhe kryediplomatja shqiptare u takua me homologët rajonalë dhe zyrtarë të lartë evropianë, u bë me dije se çështjet e sigurisë dhe konteksti aktual gjeopolitik, janë në qendër të vëmendjes për politikat e ndjekura nga Evropa.

Qëndrimi i qartë dhe i prerë për izolimin e Moskës, në kushtet kur lufta në Ukrainë vijon dhe sulmi rus nuk është ndalur, janë bërë me dije nga fuqitë e mëdha, duke kërkuar edhe llogaridhënie dhe mbajtje përgjegjësie nga Kremlini për aktet mizore të kryera në Ukrainë në mbi një vit.

“Qëllimi i takimit ishte thellimi i dialogut midis BE-së dhe vendeve tona për çështje të politikës së jashtme dhe të sigurisë, në kuadrin e rëndësisë gjithnjë e më të madhe që BE-ja po na kushton në kontekstin aktual gjeopolitik”, parashtroi ministrja.

Më tej, ajo vijoi duke thënë se pati një diskutim mbi nevojën e ruajtjes së unitetit evropian dhe mbështetjen pa rezerva për Ukrainën, respektimin e parimeve ku bazohet siguria e përbashkët evropiane dhe rregullave të së drejtës ndërkombëtare.

“Sot në Bruksel u bë i qartë edhe një herë qëndrimi i përbashkët për izolimin e Rusisë në agresionin e saj të paligjshëm dhe detyrimi për të siguruar përgjegjësinë dhe llogaridhënien për aktet mizore prej më shumë se një viti ndaj popullit ukrainas”, theksoi Xhaçka më tej.

Ndërsa, mbi pozitën e Shqipërisë, ajo mbetet e palëkundur prej fillimit të luftës, përkrah partnerëve ndërkombëtarë.

Tirana zyrtare, në fjalët e Xhaçkën, e ka prioritet sigurinë dhe stabilitetin rajonal, ndaj ka marrë edhe rol dinamik në zhvillimet që ndodhin.

Një përparim i përshpejtuar ndërkaq, pritet sa i takon procesit të negociatave, ku kërkohet të hapet grupi i parë i kapitujve.

Mirëpo, nga ana tjetër, stabiliteti kërkon edhe rritje ekonomike në vend, ndaj mbi këtë, është kërkuar sërish ndihma e vendeve anëtare të BE-së, me mbështetje domethënëse përmes asistencës financiare.

Në mbyllje, një kërkesë ka pasur edhe për rritjen e kapaciteteve shqiptare për t’u përballur me sfidat e kohës, përfshi edhe mbrojtjen kibernetike – çështje madhore kjo në vend, pas sulmeve të ardhura nga Irani vitin e shkuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore