Shqipëria

Shqipëri-Azerbajxhan, hapa përpara në fushën e energjisë dhe turizmit, thotë Rama


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një interviste ekskluzive për agjencinë e lajmeve “Trend” ka deklaruar se vendi i tij dhe Azerbajxhani kanë rënë dakord të bëjnë disa hapa përpara në fushën e energjisë dhe turizmit.

“Ne kemi marrëdhënie shumë të mira dhe ky është një moment diskutimi se si mund t’i forcojmë ato dhe si mund të ecim përpara me më shumë investime, më shumë turizëm, më shumë lidhje mes njerëzve tanë”, tha Rama, shkruan Albanian Post.

Sipas tij, mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit ka ende hapësirë ​​për zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike.

Kryeministri vuri në dukje se, gjatë vizitës atje, ka diskutuar për çështjen e furnizimit me gaz.

“Ekipi teknik do të fillojë ta shikojë dhe shumë shpejt do të kemi një vlerësim se çfarë do të bëjmë më pas”, u shpreh Rama.

Sipas tij, do të punohet ngushtësisht për gazifikimin e Shqipërisë dhe në këtë aspekt hapi i parë shumë i rëndësishëm është “nisja e një pune konkrete për gazsjellësin joniano-adriatik, i cili faktikisht përmes TAP-it lidh pjesën e sipërme që do të thotë Shqipërinë me Malin e Zi, Kroacinë, Bosnjën”.

Gjithashtu, kryeministri vuri në dukje se kompanitë shqiptare janë të interesuara për të investuar në Karabak.

“Kjo është diçka që ia përmenda kryeministrit Ali Asadov dhe ai ishte shumë i hapur për ta konsideruar atë”, tha ai.

Duke iu përgjigjur pyetjes se në cilat sfera Shqipëria do të donte të shihte investime, kryeministri tha se energjia dhe turizmi janë dy drejtimet.

“Vitin e ardhshëm do të kemi 30-vjetorin e marrëdhënieve tona diplomatike dhe do t’ia kushtojmë gjithë javën Azerbajxhanit në Shqipëri. Do të ishte mirë të kishim ambasada në të dyja vendet”, përfundoi numri një i Qeverisë shqiptare.

Duket se energjia ishte thelbi i gjithë vizitës së tij, çka nuk e la pa përmendur as vetë presidenti  Ilham Aliyev.

“Shqipëria ka qenë mbështetëse e nismës për promovimin e eksportit të energjisë së Azerbajxhanit”, cilësoi ai. “Kemi pasur shumë diskutime për këtë sektor mes dy vendeve”.

Projekti madhor më i rëndësishëm është gazsjellësi Adriatiko-Jonian, i njohur me shkurtimin TAP.

Mbi këtë, Aliyev shtoi se është një projekt historik, sa i përket gazit, dhe po ashtu një sektor shumë i mirë i bashkëpunimit mes dy vendeve.

Në Shqipëri, kalon një pjesë shumë me rëndësi e projektit TAP. Rripi i gazsjellësit prej Shqipërisë kalon në detin Adriatik dhe më pas përcjell gazin në të gjithë Evropën nëpërmjet Italisë.

Duke qenë se Gjermania ka ndërprerë projektin Nord Stream 2, i cili lidh gazin rus nga Siberia drejtpërdrejt në Gjermani, TAP-i cilësohet edhe si një ndër projektet më të rëndësishme energjetike, duke parë edhe krizat e fundit që po kalon sektori, shkruan Albanian Post.

Shqipëria, po ashtu, pritet të përftojë si në sasi gazi, ashtu edhe në çmim, duke qenë se është vend ndërmjetës i tubacioneve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore