Lajme

Shpërthimi i kolerës në Siri infekton qindra njerëz, 39 të vdekur


Në Siri, një shpërthim vdekjeprurës i kolerës ka vrarë të paktën 39 njerëz dhe ka infektuar qindra të tjerë muajin e kaluar.

Kështu kanë bërë me dije zyrtarët shëndetësorë, duke ngritur shqetësime nëse vendi i shkatërruar nga lufta mund të ndalojë përhapjen.

Sipas OKB-së dhe ministrisë së atjeshme të Shëndetësisë, burimi i shpërthimit besohet të jetë i lidhur me njerëzit që pinë ujë të pasigurt nga lumi Eufrat dhe përdorin ujë të kontaminuar për të ujitur të mbjellat.

Dhe se kjo rezulton në kontaminim të ushqimit.

Shërbimet shëndetësore të Sirisë kanë vuajtur shumë nga lufta shumëvjeçare dhe pjesa më e madhe e vendit ka mungesë të furnizimit me ujë të pastër.

Ministria, në zonat e kontrolluara nga qeveria, raportoi 23 vdekje, 20 prej tyre në provincën veriore të Alepos, përveç 253 rasteve.

Në zonat e Sirisë verilindore të kontrolluara nga luftëtarët kurdë të mbështetur nga SHBA-të, Jwan Mustafa, zyrtari më i lartë shëndetësor në rajon raportoi 16 vdekje që nga 5 shtatori dhe 2 mijë e 867 raste të dyshuara të kolerës.

Ndërsa në veriperëndimin e mbajtur nga opozita, rasti i parë u raportua këtë javë.

Përhapja e kolerës është e para në Siri që nga fillimi i konfliktit në mars 2011. Lufta ka vrarë qindra mijëra dhe ka zhvendosur gjysmën e popullsisë së paraluftës të vendit, shumë prej të cilëve jetojnë në vendbanime të mbushura me tenda.

Mustafa ka thënë se shkaku kryesor i shpërthimit është prania e kolerës vibrio në lumin Eufrat ku nivelet e ujit kanë rënë.

Rastet u raportuan në disa provinca, duke përfshirë Aleppo dhe Raqqa në veri, Latakia në bregdetin e Mesdheut dhe Deir Ezzor përgjatë kufirit me Irakun.

Sakaq, ministria i ka këshilluar njerëzit që të sigurohen që të pinë ujë që vjen nga një burim i sigurt dhe nëse ai nuk është i disponueshëm, njerëzit duhet të ziejnë ujin dhe pastaj ta ruajnë atë në një enë të pastër dhe të mbyllur.

Marrë nga “Asharq Al-Awsat”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore