Lajme

Shoqëritë civile në Kosovë dhe Serbi të zhgënjyera me rezultatin e Marrëveshjes


Albin Kurti, Miroslav Lajçak, Josep Borrell dhe Aleksandër Vuçiç në takimin e fundit në Ohër të Maqedonisë së Veriut

Drejtoresha ekzekutive e platformës CiviKos në Kosovë, Donika Emini, kryeredaktorja e portalit serb me seli në Kosovë, KoSSev, Tatjana Lazareviç dhe hulumtuesja në Qendrën e Beogradit për Politikë të Sigurisë, Maja Bjelos, gjatë një panel diskutimi të titulluar “Përparim apo ngecje? Perspektivat dhe pasojat e planit të BE-së për Serbinë dhe Kosovën”, kanë konkluduar se qytetarët nga Kosova dhe Serbia kanë mbetur të zhgënjyer me rezultatet e Marrëveshjes së arritur në Bruksel fillimisht e më pastaj edhe në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Sipas tyre Marrëveshja mund të quhet e dështuar kjo pasi e njëjta përveç se nuk është e nënshkruar, nuk ka një kornizë të saktë kohore dhe se nuk e ka të qarta pasojat që do të pasonin nëse ndonjëra nga palët refuzon ta zbatojë Marrëveshjen.

Për Eminin edhe pse Marrëveshja ka shtensionuar situatën në terren është e frikshme që e njëjta nuk ka një kornizë kohore për zbatimin e Marrëveshjes dhe se dialogu mund të zgjatet edhe për 10 vjet të thera

“Pavarësisht interesimit të BE-së për dialog dhe përpjekjeve të tyre, ne morëm një dokument shumë zhgënjyes që vetëm përmbledh gjithçka që ishte rënë dakord më parë dhe ajo që është akoma më zhgënjyese është se ne kemi një aneks pa afat kohor, i cili nuk zgjidh status quo-në dhe nuk është nënshkruar”, ka thënë Emini fillimisht, raporton mediumi serb, Danas.

Në anën tjetër, Bjelos, ka argumentuar se serbët nuk e kanë ende të qartë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, me pranimin e Marrëveshjes, ka bërë një hap të madh drejt ndryshimit të qëndrimit ndaj statusit të Kosovës.

“Nuk ka kush t’u shpjegojë njerëzve se e gjithë Marrëveshja ka të bëjë me statusin e Kosovës dhe se Serbia me të ka pranuar simbolet kombëtare, flamurin dhe diplomat, dhe kjo ende nuk ka bërë jehonë në shoqëri për shkak të kontrollit të rreptë të mediave nga shteti”, tha ajo.

Ndërsa Lazareviç, ka thënë se komuniteti lokal serb në Kosovë është plotësisht i vetëdijshëm për përmbajtjen reale dhe ndryshimet që sjell Marrëveshja e dakordësuar.

“Sa më thellë që Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti të hyjnë në dialog, aq më të rënda do të jenë pasojat për komunitetin serb dhe shqiptar”, ja shtuar ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore