Lajme

Shkopinj golfi dhe një thikë 24 mijë dollarëshe: Trump nuk raportoi qindra dhurata nga vendet e huaja


Administrata e Donald Trump gjatë kohës kur ai ishte në detyrë në Shtëpinë e Bardhë, dështoi që të raportonte me qindra dhurata nga vendet e huaja, të cilat së bashku përllogariten të vlejnë rreth çerek milioni dollarë

Kjo, sipas një raporti të Qeverisë amerikane, duke përfshirë edhe një pikturë të vetë Trump, në përmasa reale, nga presidenti i El Salvadorit, apo shkopinj golfi të markave të luksit, të bëra dhuratë nga kryeministri japonez.

Mirëpo edhe dhjetëra të tjera, mendohet se thjesht janë zhdukur, pa u ditur se çfarë kanë qenë, sa vlejnë dhe ku kanë shkuar.

Detajet u zbuluan si pjesë e një raportimi nga Komiteti i Mbikëqyrjes pranë Kongresit amerikan, i cili u zhvillua nga ligjvënësit amerikanë.

Ato që më së shumti spikasin, janë dhuratat nga Arabia Saudite, ku përfshihet edhe një thikë e vlerësuar në rreth 24 mijë dollarë, apo 17 dhurata nga shteti indian, mes të cilave edhe butona këshime shumë të shtrenjtë, një vazo, apo një model i replikuar i ndërtesës së njohur të Taj Mahal, e cila vlerësohet në 4 mijë e 600 dollarë.

Sipas një akti për dhuratat dhe dekorimet, vlerësohet se çdo send me vlerë, të cilin presidentit ia dhurojnë shtete të huaja dhe e kalojnë vlerën e 480 dollarëve, duhet të deklarohet në Departamentin e Shtetit.

Po sipas raportit të demokratëve në Kongres, numri i dhuratave që Trump ka deklaruar është tejet i ulët krahasuar me ato të presidentëve të mëparshëm, duke ngritur kështu dyshime të mëdha mbi fshehjen e tyre.

Nuk dihet gjithsesi nëse mosdeklarimi ka qenë i qëllimshëm, apo thjesht paaftësi e kabinetit të Trump për të respektuar udhëzimet ligjore, ashtu si parashikohen në Kushtetutën amerikane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore