Lajme

Shkollimi s’ka rëndësi për të ecur në jetë dhe karrierë, njohjet po – kështu mendojnë kosovarët


Ilustrim.

Kosova, vazhdon të ketë shifër të ulët në rajon sa i përket mendimit që kanë qytetarët për korelacionit mes rëndësisë së arsimit për të ecur përpara në jetë dhe sukses në karrierë.

Kështu të paktën bëjnë të ditur të dhënat e fundit të publikuar nga Barometri i Ballkanit për vitin 2022.

Njohësi i çështjeve të arsimit, Argjend Osmani, në një bisedë për Albanian Post i konsideron si mjaft shqetësuese shifrat e tilla.

“Kjo përqindje, më e ulëta në tërë rajonin e Ballkanit perëndimor, është shumë shqetësuese dhe reflekton reaksionin e shoqërisë në raport me malverzimet e shumta dhe padrejtësitë që janë bërë në këtë fushë”.

“Para së gjithash këtu mendojë për mungesën e sinqeritetit akademik, që është prezent në të gjitha nivelet e arsimit, politizim i skajshëm, nepotizëm, mungesë e theksuar e meritokracisë, mësimi për nota e jo për dije, mungesa e perspektivës për të rinjtë e shkolluar, etj”, thotë Osmani për AP.

“Njerëzit thjeshtë kanë humbur besimin se arsimimi i duhur do të të ndihmojë për jetë, e këtë e vërtetojnë duke parë politikanët e padijshëm milionerë, biznesmenët e pa aftë por të lidhur me strukturat politike, profesorët jo meritorë e kështu me radhë”.

Sipas Osmanit, “të gjitha këto ndikojnë që të krijohet tek shoqëria kosovare një perceptim negativ rreth rolit që arsimimi mund të ketë në suksesin e njeriut”.

Pesimist për përmirësimin e arsimit, shprehet edhe njohësi i kësaj fushe, Rinor Qehaj. “Çfarëdo vlerësimi kredibil ndërkombëtarë patjetër që do të paraqes situatën jo të mirë të arsimit ashtu siç edhe është, dhe kjo tashmë na është dëshmuar nga rezultatet e PISA, deklaron Qehaja për Albanian Post.

Ai konsideron se ndryshime mund të ketë, mirëpo kërkon angazhim të madh nga institucionet.

“Ndryshimi i vërtetë në cilësi kërkon kohë, por, kjo kohë, paraqet vite të humbura për të rinjtë tanë. Andaj, përmirësimi i gjendjes së arsimit është përgjegjësi e institucioneve ndaj gjeneratave të rinjve”.

Sa i përket Shqipërisë, të dhënat e Barometrit të Ballkanit për vitin 2022, e nxjerrin sërish si vendin më arsimdashës në të gjithë rajonin, ku 50% e të anketuarve mendojnë pikërisht se, gjëja më e rëndësishme për të ecur përpara në jetë, është arsimimi.

Shqiptarët, brenda Shqipërisë, jo vetëm që e kryesojnë listën në këtë aspekt, por janë thuajse dyfish më shumë në përqindje sasa ndjekësit.

Kurse 24% e boshnjakëve mendojnë se arsimi i mirë është çelësi për një karrierë të mirë. Nga ana tjetër, të njëjtën gjë e mendojnë 21% e malazezëve dhe serbëve, si dhe 21% e maqedonasve.

Pra, shifrën më të ulët sa i përket kësaj pyetjeje në rajon e mbajnë shqiptarët e Kosovës, ku 15% e popullsisë e mendojnë se arsimi është me rëndësi për të ecur përpara në jetë.

Sa u përket mesatareve rajonale mbi këtë çështje, më e kuotuara nga të anketuarit, është fakti se sekreti për një karrierë të mirë, lidhet me njohjen e njerëzve të duhur.

Ndryshe, Kosova edhe në testin PISA është nxjerrë gati në fund të listës botëorore në vitin 2015 dhe në vitin 2018.

Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA), është një studim mbarë botëror i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim në vendet anëtare edhe joanëtare, i cili ka për qëllim vlerësimin e sistemeve arsimore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore