Lajme

Barometri Ballkanik: Qytetarët më të prirur ndaj bashkëpunimit rajonal


Të enjten e 24 qershorit, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) publikoi të dhënat e sondazhit të Barometrit Ballkanik për vitin 2021, ku 77% e qytetarëve mbështesin bashkëpunimin rajonal.

Barometri mori në shqyrtim perceptimet dhe pritshmëritë e qytetarëve dhe sipërmarrësve në Ballkanin Perëndimor.

Temat e prekura ishin integrimi në Bashkimin Evropian, bashkëpunimi rajonal, digjitalizimi etj.

Sipas sondazhit, 62% e shohin anëtarësimin në BE si “diçka të mirë” për ekonominë e tyre.

Nga anketimi zbulohet se 49% besojnë se papunësia është problemi më i madh i shtetit të tyre.

Kjo, krahasuar me 45% nga viti i kaluar, ndërsa perceptimi midis brezit të ri është edhe më i lartë, duke shkuar deri në 63%.

Sekretarja e Përgjithshme e RCC-së, Majlinda Bregu, tha se besimi midis qytetarëve për ndërveprimin rajonal është rritur.

“Ka një rritje të nivelit të përgjithshëm të mbështetjes midis qytetarëve në rajon për procesin e bashkëpunimit rajonal, si dhe një rritje të besimit se anëtarësimi në BE është një proces që do të ndihmojë vendet tona drejt përmirësimit”, tha Bregu.

Bregu pohoi më tej se zvarritja e procesit të pranimit “nuk i bën mirë” as besimit të qytetarëve, por edhe vetë bllokut.

Sipas saj sa më gjatë të zvarritet procesi, aq më shumë shanse ka që të rritet mosbesimi.

Asgjë e mirë nuk vjen nga zgjatja e procesit, as në Bashkimin Evropian dhe as në Ballkanin Perëndimor”, përmbylli ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore