Vende

Shkodra, vendi ideal për një fundjavë ndryshe


Pas një jave mbushur me aktivitete nga përditshmëria, në fundjavë lypset një “arratisje e vogël”.

Shkodra është një prej perlave të Shqipërisë, e cila fsheh shumë bukuri natyrore.

Fshatra dhe lugina të mrekullueshme, si dhe ushqime të shijshme tradicionale mund t’i gjeni vetëm në Shkodër.

Një fundjavë e kaluar në krahinat rurale përreth qytetit të Shkodrës, në veri të Shqipërisë, do ‘t’ju shpërblejë’ me kujtime të bukura, që do t’i mbani mend gjatë e me kënaqësi.

Kur ju gjendeni mes ajrit të pastër dhe qetësisë së ‘prishur’ vetëm nga cicërimat e zogjve, ecjet e lehta në natyrë, përmes shtigjeve të shumta, të mbuluar me dëborë gjatë dimrit, të përshtatshme për të gjitha moshat, apo shëtitjet romantike me varkë në liqenet e Shkodrës e të Vaut të Dejës, në kërkim të shpendëve dhe zambakëve ujorë me bukuri të rrallë, janë pa dyshim disa prej veprimtarive kryesore që ofron ky territor i pasur në burime e tradita.

Po aq tërheqëse dhe akoma më origjinale  janë vizitat e organizuara në fermat që zbatojnë parimet e bujqësisë organike, mundësia për të ndihmuar (sipas dëshirës) në punë të thjeshta bujqësore e blegtorale, dikur të përditshme e tashmë krejt të harruara nga ata që banojnë në qendrat e mëdha urbane, apo shopping-u për artikuj të rrallë e unikë të artizanatit, drejtpërdrejt pranë atelieve të mjeshtërve të zonës.

Bukuria e peizazheve të paprekura, biodiversiteti i madh dhe trashëgimia e pasur kulturore, bashkë me mikpritjen e ngrohtë të banorëve, përmirësimin e infrastrukturave rrugore dhe lehtësinë e mbërritjes e bëjnë fundjavën në rajonin e Shkodrës një propozim turistik mjaft tërheqës për udhëtarët nga Shqipëria dhe nga vendet fqinje të Ballkanit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore