Kosova

Shkarkimi i kryetarëve në Veri, Osmani: E drejtë që u takon qytetarëve


Vjosa Osmani

Nisja e procedurës së nënshkrimit të peticionit për shkarkimin e kryetarëve në Veri të Kosovës, sipas presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, është e drejtë dhe se ky fakt duhet respektuar.

Të mërkurën e 16 janarit ka filluar mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve të komunave të Mitrovicës së Veriut dhe Leposaviqit.

Sipas Osmanit, ky peticion është rregulluar sipas Ligjeve të Kosovës.

“Sot ka nis peticioni për shkarkimin e kryetarit në komunat veriore dhe siç e dini ligjet e Republikës së Kosovës lejojnë procedure të tillë e cila është në Udhëzimin Administrativ, është e drejtë që u takon qytetarëve në komunat veriore. Si shtet që jemi pa dallueshmëri etnike ua lejojmë natyrisht edhe atyre”, u shpreh Osmani.

Interesimi i madh i serbëve për nënshkrimin e peticionit për shkarkimin e Atiqit

Qytetarët në Mitrovicën e Veriut, të mërkurën në mëngjes janë grumbulluar afër sallës së sportit në këtë komunë, për të nënshkruar peticionin e shkarkimit të kryetarit, Erden Atiq.

Numri i qytetarëve të cilët janë grumbulluar në sallën e sporteve afër stacionit të autobusëve në këtë komunë për të nënshkruar peticionin është relativisht i lartë.

Para sallës së sportit është e pranishme edhe Policia e Kosovës, e cila po monitoron të gjithë procesin.

Në grumbullin e qytetarëve janë parë edhe ish-krerët e Listës Serbe dhe ish-kryetari i Mitrovicës së Veriut nga kjo parti.

Sipas të dhënave nga Komisioni Qendror Zgjedhor për të qenë i suksesshëm procesi i shkarkimit në Mitrovicë të Veriut nevojiten 3 mijë e 640 nënshkrime.

Mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e Lulzim Hetemit, gjithashtu ka nisur në orën 9:00 të mërkurën e 16 janarit.

Mbledhja e nënshkrimeve po organizohet para ndërtesës së Komunës së Leposaviqit.

Nga pamjet në terren numri i interesuarve për nënshkrimin e peticionit është relativisht më i vogël në krahasim me numrin në Mitrovicë të Veriut.

Në Leposaviq, sipas KQZ-së duhet të mblidhen 2 mijë e 689 nënshkrime në atë mënyrë që të iniciohet tutje procesi i shkarkimit të Lulzim Hetemit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore