Teknologji

Shiten në internet bluzat me afganët që bien nga avionët amerikanë


Një bluzë ofenduese që duket se përqesh ata që ranë për vdekje nga një avion ushtarak amerikan në Afganistan gjatë kësaj jave po shitet në internet në disa nga platformat e tregtisë elektronike.

Gazeta britanike, “The Independent”, tregon se skenat e kaosit mbërthyen Aeroportin e Kabul-it të hënën e 16 gushtit kur mijëra njerëz u mblodhën rreth pistës dhe u përpoqën të hipnin në avionët ushtarakë që po evakuonin shtetasit e vendeve perëndimore, përfshirë SHBA-në dhe aleatët e saj.

Por rrëmuja e krijuar la të paktën shtatë persona të vrarë dhe e gjitha kjo ndodhi një ditë pasi talebanët morën kontrollin e kryeqytetit Kabul dhe pallatit presidencial.

Dëshpërimi mes atyre që u mblodhën në aeroport për t’u larguar nga Afganistani arriti kulmin me skenat e njerëzve që ndiqnin avionët në lëvizje përgjatë pistës dhe video që tregonin disa njerëz duke u ngjitur dhe kapur pas rrotave të avionëve që do të ngriheshin.

Në njërën nga videot, dy nga personat u panë të vdisnin në mes të fluturimit nga një aeroplan ushtarak C-17 Globemaster.

Mirëpo, disa faqe të tregtisë elektronike në internet kanë nisur që atëherë të shesin një sërë modelesh të bluzave që i referohen incidentit. Ato janë pritur me një reagim thuajse të menjëhershëm në internet.

Një nga modelet shfaqte një aeroplan të ngjashëm me C-17 dhe dy persona në rënie të lirë, me fjalët “Kabul Skydiving Club. Lindje 2021” të shtypura krahas imazhit.

Madje, një prej bluzave po shitej përmes një lidhjeje në faqen e njohur amerikane të blerjeve, Etsy, e cila shërben si një platformë për shitësit e pavarur për të drejtuar dyqanet e tyre.

“Teksa afganët po ikin dhe kapen pas aeroplanëve nga dëshpërimi, dikush vendosi të përfitojë nga dhimbja dhe mjerimi i tyre me këtë bluzë të neveritshme”, ka thënë Holly Dagres, një bashkëpunëtore e lartë te Këshilli Atlantik.

Pas kësaj, listimi u hoq nga Etsy dhe një zëdhënës i faqes ka treguar se kjo u bë sapo çështja u soll në vëmendjen e tyre. Nga ana tjetër, faqja premtoi të monitorojë listat shtesë të të njëjtit dizajn, duke thënë se shitjet e tilla shkelin rregullat e Etsy-t për artikujt ofendues.

Në mediat sociale janë shfaqur gjithashtu disa meme, të cilat i referohen tragjedisë.

Për sa i përket trupave të rënë, ata u gjetën më vonë nën rrotat e një prej avionëve amerikanë C-17 që ishte në një mision evakuimi jashtë Afganistanit.

Avioni ishte devijuar në një vend aty pranë, pasi ekuipazhi i tij nuk mund të vinte pajisjet e tyre të uljes dhe shpalli një emergjencë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore