Shqipëria

Shifrat e COVID vetëm rriten, Shqipëria në verë me aq raste ditore sa vjeshtën e shkuar


Në 24 orë, janë 1 mijë e 563 raste të reja të regjistruara me COVID-19 në Shqipëri. Numri i vdekjeve ditën e fundit, ndalet në një, por shqetësimi se virusi po kthehet furishëm që në stinën e verës (kur realisht duhet të kishte më së pakti raste) është i madh.

Faktikisht, shifrat e javës së fundit sa i përket infektimeve me virusin vrastar janë të krahasueshme edhe me ato të dimrit të shkuar – periudhë kjo më e egra në termat e pandemisë.

Nëse shifrat vijojnë të mbeten në trendin e fillimkorrikut, atëherë tendenca do të jetë e ngjashme me atë të vjeshtës së shkuar, nëse krahasohen periudhat.

Teksa sezoni veror COVID-free nuk paraqiti probleme në 2021-shin, vera e 2022-shit, duket shumë më e egër dhe e favorshme për virusin.

Në tërësi janë 7 mijë e 63 raste aktive në gjithë Shqipërinë, ku barrën kryesore e mban Tirana me 4 mijë e 468.

Rastet aktive, deri përpara dhjetë ditësh, ishin në shifra shumë më të ulëta se këto të paraqitura ditën e sotme. Për të mos krahasuar me periudhën pranverore, ku numri i rasteve aktive shkoi deri edhe në 200.

Pjesa më shqetësuese ndërkohë, është fakti se numri i të shëruarve në 24 orë, nuk kap as gjysmën e personave të infektuar.

Në terma të përgjithshëm, vetëm muajin e fundit, shifrat e COVID-19 janë dhjetëfishuar në Shqipëri.

Prej vendit me më së pakti raste për frymë në Ballkanin Perëndimor, së bashku me Kosovën, Shqipëria kaloi në vendin me më së shumti raste për banorë.

Brenda pesë ditëve të fundit, janë shtuar në tërësi 1 mijë e 500 raste aktive me virusin, duke treguar një trend prej 300 të infektuarish të rinj më shumë se sa të shëruarish mesatarisht dhe hendeku po rritet më tej.

Rritja e pritshme e rasteve, duke iu referuar edhe vitit të shkuar, pritej të niste rreth mesit të gushtit e të kulmonte pastaj në vjeshtë e dimër.

Pse kjo valë kaq e hershme?

Një prej apeleve kryesore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, është ai i marrjes së dozave të treta e të katërta të vaksinave (të katërtat për moshat më të thyera).

Në realitet, kjo tregon se efekti i vaksinimit të shkuar me dy doza, ka përfunduar për pjesën më të madhe të popullatës dhe ata tashmë janë të pambrojtur ndaj virusit.

Sipas ekspertëve të fushës, pjesa më e madhe e vaksinave ofron mbrojtje jo më të gjerë se sa një vit prej marrjes së dozës së dytë. Ndaj, doza e tretë, e njohur si “booster”, mund të ndikojë në uljen e virulencës.

Një tjetër aspekt që e shtyn më tutje rritjen e rasteve në Shqipëri, është edhe fakti se një pjesë e madhe e popullatës, është vaksinuar me doza nga kompania kineze Sinovac dhe duke qenë se kjo e fundit njihet si “vaksinë tradicionale”, pra që vepron nëpërmjet vetë virusit dhe jo me ARN si Pfizer/BioNTech apo Moderna, efektin e ka jo më të gjatë se gjashtë muaj pas marrjes së dozës së dytë.

Pra, në këtë skenar, efekti i vaksinimit ka përfunduar prej kohësh për ata, të cilët nuk kanë marrë dozë të tretë.

Më pas, hapja tërësore e kufijve dhe një sezon COVID-free ka ndikimet e veta, duke qenë se qindra mijëra turistë lëvizin gjatë verës nga veriu në jug dhe virusi ka mundësi më të madhe përhapjeje.

Ja vlen të shqetësohemi nga një valë e radhës së COVID-19?

Sipas ekspertëve më të mirë botërorë në infektologji, po dhe jo.

Është e vërtetë se numri i rasteve mund të rritet ndjeshëm, sikundër edhe ai i vdekjeve.

Mirëpo, pjesa më e madhe e popullatës, e kanë kaluar tashmë një herë virusin dhe rrezikshmëria për fatalitet është më e ulët, duke qenë se vetë trupi krijon antigjene.

Fashat më të rrezikuara gjithsesi, duhet të tregojnë kujdes të shtuar menjëherë me shtimin e rasteve.

Pikërisht të moshuarit apo personat, të cilët vuajnë nga sëmundjet kronike, janë ata të cilët cenohen më shumë nga virusi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore