Lajme

SHBA-të nuk do t’i njohin aneksimet ruse në Ukrainë, thotë Sullivan


Shtetet e Bashkuara nuk do ta njohin kurrë aneksimin nga Rusia të një pjese të territoreve të okupuara të Ukrainës dhe do ta bëjnë Moskën të paguajë çmimin nëse përpiqet ta bëjë këtë.

Kështu deklaroi në një konferencë Jake Sullivan, këshilltari i presidentit amerikan për sigurinë kombëtare.

“Unë do ta them qartë: nëse kjo ndodh vërtet, SHBA-të nuk do t’i njohin kurrë pretendimet e Federatës Ruse mbi territoret që do të përpiqet t’i aneksojë. Dhe ne kurrë nuk do t’i njohim këto territore si asgjë tjetër përveç territorit të Ukrainës”, theksoi fillimisht Sullivan.

Sipas tij, këto referendume janë një fyerje ndaj parimeve të sovranitetit dhe integritetit territorial, të cilat vendosin themelet e rendit ndërkombëtar dhe janë në qendër të Kartës së OKB-së.

“Ne e dimë se këto ‘referendume’ do të jenë plot manipulime dhe se Rusia do t’i përdorë ato si justifikim për të aneksuar territore – tani apo në të ardhmen”, shtoi ai.

Këshilltari për sigurinë kombëtare vërejti se “referendumet” nuk do t’i japin Rusisë avantazhe në tryezën e negociatave me Ukrainën.

“Krejt e kundërta: ky është veprimi i një vendi që ka dështuar – ushtarakisht dhe diplomatikisht”, vijoi zyrtari.

Autoritetet ruse planifikojnë të mbajnë pseudo-referendume për aneksimin e territoreve të pushtuara të rajoneve Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia në Rusi nga 23 deri më 27 shtator.

Kreu i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Dmytro Kuleba, tha se pavarësisht planeve të Federatës Ruse për të mbajtur pseudo-referendume për aneksimin e territoreve të okupuara të Ukrainës, Ukraina do të vazhdojë çlirimin e tyre.

Bashkimi Evropian beson sakaq se vendosja nga Duma Shtetërore e Rusisë e përgjegjësisë penale, e cila është më e përshtatshme gjatë një lufte në shkallë të gjerë, si dhe mbajtja e të ashtuquajturave “referendume” në territoret e okupuara të Ukrainës, është një shenjë e “nervozizmit” të Kremlinit për shkak të dështimeve në frontin e betejës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore