Lajme

SHBA-të eliminojnë liderin e al-Qaedas, Ayman al-Zawahiri


Shtetet e Bashkuara kanë vrarë liderin e al-Qaedas, Ayman al-Zawahiri, në një sulm me dron në Afganistan.

Lajmi i bujshëm u konfirmua zyrtarisht nga presidenti amerikan Joe Biden, duke cituar daljen e tij për media.

Zawahiri mbeti i vrarë gjatë një operacion kundër terrorizmit të kryer nga CIA në kryeqytetin afgan, Kabul të dielën.

Biden theksoi gjatë fjalës së tij se Zawahiri kishte “gdhendur një gjurmë të vrasjeve dhe dhunës kundër qytetarëve amerikanë”.

Zawahiri mori drejtimin e Al-Qaedas pas vdekjes së Osama Bin Laden-it në vitin 2011.

Ai dhe Bin Laden komplotuan së bashku sulmet e 11 shtatorit dhe ai ishte një nga “terroristët më të kërkuar” të SHBA-ve.

Zyrtarët amerikanë thanë se Zawahiri ishte në ballkonin e një shtëpie të sigurt kur droni qëlloi dy raketa drejt tij.

Anëtarët e tjerë të familjes ishin të pranishëm, por ata nuk u dëmtuan nga sulmi dhe vetëm Zawahiri u vra, shtuan ata.

Biden sqaroi se kishte dhënë ai miratimin përfundimtar për “goditjen preçize” ndaj liderit 71-vjeçar të Al-Qaedas.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se al-Zawahiri kishte organizuar gjithashtu akte të tjera dhune.

Kjo, duke përfshirë sulmin vetëvrasës të destrojerit detar USS Cole në Aden në tetor të vitit 2000, i cili vrau 17 marinarë amerikanë.

Së dyti, ishin sulmet e vitit 1998 ndaj ambasadave amerikane në Kenia dhe Tanzani, pas të cilave vdiqën 223 persona.

Ai këmbënguli se Afganistani nuk do të bëhet më kurrë një strehë e sigurt për terroristët.

Një zëdhënës i talebanëve e përshkroi operacionin amerikan si një shkelje të qartë të parimeve ndërkombëtare.

Megjithatë, zyrtarët amerikanë pohuan se operacioni kishte një bazë ligjore.

Vrasja e Zawahirit vjen gati një vit pasi trupat amerikane përfunduan tërheqjen e tyre nga Afganistani, duke i dhënë fund një pranie ushtarake 20-vjeçare atje.

Sipas një marrëveshjeje paqeje të vitit 2020 me SHBA-të, talebanët ranë dakord të mos lejojnë al-Qaedan ose ndonjë grup tjetër ekstremist të veprojë në zonat nën kontrollin e tyre.

Megjithatë, talebanët dhe al-Qaeda janë aleatë të vjetër dhe zyrtarët amerikanë thanë se talebanët ishin në dijeni të pranisë së Zawahirit në Kabul.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se duke pritur dhe strehuar Zawahirin në Kabul, talebanët kishin “shkelur rëndë” marrëveshjen e paqes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore