Lajme

SHBA-të, Britania dhe Australia dakordësohen për nëndetëset bërthamore


Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Australia kanë zbuluar detaje të planit të tyre për të krijuar një flotë të re nëndetësesh me energji bërthamore.

Kjo e fundit, synon të kundërshtojë ndikimin e Kinës në rajonin Indo-Paqësor.

Lajmi u bë i ditur nga multimediali britanik “BBC”.

Sipas paktit Aukus, Australia do të marrë nëndetëset e saj të para me energji bërthamore – të paktën tre – nga SHBA-të.

Aleatët do të punojnë gjithashtu për të krijuar një flotë të re duke përdorur teknologjinë më të avancuar, duke përfshirë reaktorët Rolls-Royce të prodhuar në Mbretërinë e Bashkuar.

Pekini tha se marrëveshja e madhe detare “dëmton paqen dhe stabilitetin”.

Misioni i Kinës në OKB akuzoi gjithashtu aleatët perëndimorë për frenim të përpjekjeve për mospërhapjen bërthamore.

Por presidenti amerikan Joe Biden tha se marrëveshja kishte për qëllim forcimin e paqes në rajon.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë theksoi se nëndetëset do të jenë “me energji bërthamore, jo të armatosura bërthamore”.

Për Australinë, ky është një përmirësim i madh i aftësive ushtarake të aleatit të SHBA-ve.

Vendi bëhet vetëm i dyti pas Britanisë së Madhe që merr teknologjinë elitare të shtytjes bërthamore të Washington-it.

Nëndetëset do të jenë në gjendje të operojnë më tej dhe më shpejt se flota ekzistuese e vendit me motorë me naftë.

Australia gjithashtu do të jetë në gjendje të kryejë sulme me rreze të gjatë kundër armiqve për herë të parë.

Sipas marrëveshjes, marinarët e marinës australiane do të dërgohen në bazat e nëndetëseve të SHBA dhe Britanisë së Madhe nga ky vit për të mësuar se si të përdorin nëndetëset me energji bërthamore.

Nga viti 2027, SHBA dhe Britania e Madhe do të bazojnë gjithashtu një numër të vogël nëndetësesh bërthamore në Perth, Australia Perëndimore.

Kjo, përpara se Canberra zyrtare të blejë tre nëndetëse të klasit Virginia të modelit amerikan në fillim të viteve 2030 – me opsione për të blerë dy të tjera.

Kryeministri i Australisë tha se plani – i cili do t’i kushtojë Canberra-s deri në 368 miliardë dollarë australianë (201 miliardë paundë) gjatë 30 viteve – shënoi “investimin më të madh të vetëm në aftësinë mbrojtëse të Australisë në të gjithë historinë e saj”.

“Pakti Aukus për nëndetëset bërthamore mund të ndiqet dhe nga shtete të tjera”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore