Lajme

SHBA-ja dhe BE-ja ndjejnë vetëm keqardhje, derisa Lista Serbe zgjedh sabotazhin


Ilustrim

Në kulmin e tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë, partia kryesore e serbëve të Kosovës vendosi që edhe njëherë t’u bëjë presion qytetarëve të komunitetit serb në veri të territorit kosovar që të mos u përgjigjen proceseve demokratike në vend, duke bërë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimi Evropian (BE) t’ia tërheqin vërejtjen Listës Serbe.

SHBA dhe BE u janë bashkuar thirrjeve që të gjithë qytetarët në Kosovë të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë që veçse ka filluar, ndërsa serbët në katër komunat veriore të vendit – Mitrovicë  e Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok – të dalin edhe në votimet e thirrura për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të komunave që pritet të mbahet më 21 prill 2024.

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) njoftoi në një përgjigje për “Radio Evropa e Lirë” të hënën se SHBA-të janë “thellësisht të zhgënjyera” me thirrjet publike të partisë kryesore që gëzon mbështetjen ee Serbisë që serbët e Kosovës të bojkotojnë procesin e regjistrimit të popullsisë, ndërsa inkurajuan të gjithë qytetarët që të marrin pjesë plotësisht në proces.

“Ne inkurajojmë të gjithë qytetarët e Kosovës që të marrin pjesë plotësisht në regjistrimin e popullsisë. Një regjistrim i saktë mundëson shpërndarjen e drejtë të burimeve shtetërore për të gjithë qytetarët. Ne njohim përgjegjësinë dhe autoritetin e Qeverisë së Kosovës për të zhvilluar procesin e regjistrimit të popullsisë”, deklaroi shkurt një zëdhënës i DASH-it të hënën.

Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë – ngjarja më e rëndësishme statistikore e vendit – filloi më 5 prill dhe pritet të zgjasë deri më 17 maj. Megjithatë, ndonëse censusi për herë të parë do ta përfshijë edhe komunitetin serb në pjesën veriore të Kosovës, partia kryesore e serbëve në vend paralajmëroi se serbët nuk do të marrin pjesë.

BE-ja shprehu gjithashtu keqardhje për thirrjet për bojkotimin e regjistrimit të popullsisë nga përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës, ndërsa inkurajoi të gjithë qytetarët e Kosovës që të marrin pjesë në këtë proces, kurse Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK) që të intensifikojë fushatën informuese për të gjithë banorët, përfshirë komunitetet jo-shumicë.

“Sigurimi i të dhënave më të reja për popullsinë ka rëndësi të veçantë pasi nuk është vetëm për të siguruar shpërndarjen e drejtë të mjeteve për komunat, por edhe për të ndihmuar në marrjen e informuar të vendimeve politike, planifikimet për shërbimet publike dhe adresimin e nevojave të ndryshme të grupeve të ndryshme demografike brenda popullatës”.

Ndërkaq, sa i përket thirrjes së Listes Serbe për bojkotimin e procesit të votimit për shkarkimin e katër kryetarëve shqiptarë në veri – Erden Atiq, Ilir Peci, Lulzim Hetemi dhe Izmir Zeqiri – përveç shprehjes së keqardhjes për veprimet e këtij subjekti politik, ambasada amerikane në Prishtinë kujtoi rëndësinë e pjesëmarrjes në proceset demokratike të vendit.

“Keqardhje për deklaratën e Listës Serbe se ata do të tërhiqen nga pjesëmarrja në votimin për shkarkimin e kryetarëve të komunave veriore. Ne presim që Qeveria e Kosovës të jetë e ndjeshme ndaj shqetësimeve të qytetarëve të saj në veri të Kosovës gjatë gjithë këtij procesi. SHBA-të dhe partnerët tanë do të vazhdojnë ta ndjekin këtë proces nga afër”.

BE-ja nga ana tjetër apeloi Listën Serbe që të rishqyrtojë vendimin për mospjesëmarrje në votimet për shkarkimin e kryetarëve në veri të vendit, duke rikujtuar se pjesëmarrja e qytetarëve serbë që përbëjnë shumicën në pjesën veriore të Kosovës në jetën demokratike në Kosovë është në interes të tyre dhe një hap i nevojshëm për zbutjen e tensioneve.

“Ne marrim në dijeni shqetësimet e shprehura nga serbët e Kosovës lidhur me procesin për zgjedhjet e reja. Përkundër kësaj, ne i bëjmë thirrje Listës Serbe të rishqyrtojë vendimin për të mos marrë pjesë, pasi demokracia nënkupton pjesëmarrje dhe realizimin e të drejtës për serbët e Kosovës që të shprehin qëndrimet e tyre në kutitë e votimeve”, u shpreh BE-ja.

“Zhvillimi i zgjedhjeve të reja për kryetarë komunash duhet të sigurojë qeverisje të plotë përfaqësuese në veri dhe të ndihmojë edhe në uljen e tensioneve. Votimi për shkarkim është hap në këtë drejtim. Është imperative që të kthehemi në situatën ku serbët e Kosovës marrin pjesë aktive në qeverisjen lokale, polici dhe gjyqësorë në veri të Kosovës”.

Në bazë të udhëzimit administrativ që mundëson largimin e kryetarëve të komunave nga shtatori i vitit të kaluar, duhet 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote që referendumi të ketë sukses. Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Një ndër kriteret e përcaktuara nga BE-ja për largimin e “sanksioneve” ndaj Kosovës të vendosura në qershor të vitit të kaluar për shkak të përshkallëzimit të situatës është shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe organizimi në mënyrë gjithëpërfshirëse në të gjitha katër komunat serbe në veri, kurse nga serbët kërkohet që të marrin pjesë pa kushte.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore