Lajme

SHBA/ Grumbullime para Gjykatës së Lartë pas lajmeve të rrëzimit të vendimit për lejimin e abortit


Para Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të hënën mbrëma të 2 prillit, u mblodhën qindra njerëz.

Grumbullimi nisi pas lajmit për një informacion të rrjedhur se shumica e gjykatës është e përgatitur të rrëzojë vendimin historik Roe kundër Wade.

Në të, gjykata ka vendosur se Kushtetuta e SHBA-ve mbron lirinë e një gruaje shtatzënë për të zgjedhur të kryejë një abort, çka rrëzoi shumë ligje federale dhe shtetërore të SHBA-ve për abortin, si dhe nxiti një debat të vazhdueshëm mbi çështjen.

Shumë prej të pranishmëve në grumbullimin e së hënës ishin të tronditur dhe të shqetësuar.

Me kalimin e natës, skena u tensionua. Dhjetëra protestues kundër abortit nisën të brohorisnin se “foshnjat nuk zgjedhin kurrë të vdesin”.

Kurse një grup më i madh mbështetësish të të drejtave të abortit thërrisnin se “aborti ka të bëj me kujdesin shëndetësor”.

Disa nga protestuesit u përleshën për një kohë të shkurtër dhe një numër protestuesish të maskuar u përpoqën të detyronin demonstruesit kundër abortit të largoheshin nga pjesa e përparme e ndërtesës së gjykatës.

Asnjëri grup nuk lëvizi, por ulërimat dhe të bërtiturat nuk u ndalën.

Sakaq, prezenca e dukshme e policisë mbeti minimale.

25-vjeçarja Erin Swauger, shkoi në protestë bashkë me vëllain e saj Ben dhe prindërit e tyre, Laura dhe Mark.

“Po ndihem e pafuqishme. Jam thjesht e tmerruar”, ka thënë ajo.

Grupime aktivistësh kundër abortit, nga ana tjetër, herë pas here u ndeshën me turmën e gjerë, duke brohoritur.

29-vjeçarja Shelby Davis-Cooper, studente e vitit të katërt të mjekësisë, la mënjanë studimet para provimit dhe iu bashkua po ashtu turmës.

Për të, rritja nga një nënë beqare që rriti dy fëmijë me pagën e një kamariereje i dha formë bindjeve të saj për aksesin në kujdesin riprodhues.

 

Marrë nga “The Washington Post”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore