Lajme

ShBA dhe BE: Kosova dhe Serbia ta zbatojnë urgjentisht dhe pakushte marrëveshjen


Joe Biden, Antony Blinken, Charles Michel dhe Josep Borrell.

Në Deklaratën e Përbashkët të Samitit të 27-të në mes të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që është mbajtur në Uashington, është kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të de-përshkallëzojnë menjëherë situatën dhe të zbatojnë pa kushte marrëveshjen e Brukselit\Ohrit, e arritur në dialogun e ndërmjetësuar nga BE.

Në këtë samit morën pjesë – ndër të tjerë – presidenti i ShBA-së, Joe Biden, Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, si dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Nga ky samit, që ofron një mundësi për të rishikuar partneritetin e ngushtë transatlantik dhe fushat e bashkëpunimit brenda partneritetit, kanë theksuar angazhimin e tyre për stabilitet në Ballkanin Perëndimor.

“Ne riafirmojmë angazhimin tonë të përbashkët për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe mbështetjen tonë për perspektivën e BE-së të rajonit. Të gjithë partnerët duhet të vazhdojnë të bëjnë reformat e nevojshme për të përparuar në rrugën e tyre evropiane”, thuhet aty.

Thirrja që ShBA dhe BE i kanë bërë Kosovës dhe Serbisë për të zbatuar marrëveshjen e dakorduar fillimisht në Bruksel dhe e përforcuar me aneks zbatimi në Ohër të Maqedonisë së Veriut, gjendet në faqen e tretë, nga tetë sa i ka totalë deklarata e përbashkët e konkluzioneve.

“Ne theksojmë nevojën që Kosova dhe Serbia të de-përshkallëzojnë urgjentisht tensionet dhe të zbatojnë me shpejtësi dhe pa kushte marrëveshjen në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve të tyre dhe kthimit në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, thuhet aty.

Akorduar fillimisht më 27 shkurt në Bruksel, dhe e plotësuar me aneks sqarues në Ohër të Maqedonisë së Veriut, me plotë 11 nene BE dhe ShBA-të besonin se kanë gjetur zgjidhjen përpara për problemin mes Kosovës dhe Serbisë.

Aty Kosova – pos tjerash – pranonte që t’i zbatonte të gjitha marrëveshjet e arritura me herët, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe pajtimin për një status special për Kishën Ortodokse Serbe.

Serbisë i kërkohej që të mos e pengonte anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe përgjithësisht njëfarë njohje de-facto të shtetësisë.

Mirëpo, për shkak të ngjarjeve në Veri të Kosovës zbatimi i saj ka mbetur në hije.

Kjo thirrje e ShBA-ve dhe BE-së, vjen një ditë para vizitës së pesë top diplomatëve që do e vizitojnë Kosovën dhe Serbinë, të udhëhequr nga ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, bashkë me amerikanin Gabriel Escobar dhe këshilltarët Emmanuel Bonne, Jens Plotner dhe Francesco Talo.

Albanian Post të enjten ka raportuar ekskluzivisht për përmbajtjen e vizitës së pesë diplomatëve perëndimorë.

Vetëmenaxhimi në këmbim të njohjes de facto do të jetë formula e vetme qe pesëshja e ka të shtunën në tavolinë si pjesë e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë.

Kjo do të jetë një përmendje e rëndësishme, e cila tregon se marrëveshja synon të lejojë komunitetin serb në Kosovë të ketë një shkallë më të lartë të autonomisë dhe vetëqeverisjes, ndërsa në këmbim Kosova merr njohjen de facto të saj nga Serbia. Kjo është një pjesë e shpërndarjes së përgjegjësive dhe të arriturave të ndërsjella midis dy vendeve dhe është një përpjekje për të normalizuar marrëdhëniet midis tyre në kuadër të dialogut dhe negociatave ndërkombëtare.

Ky është një aspekt i rëndësishëm i procesit të normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë dhe është një nga pikat kyçe të marrëveshjes bazike që janë diskutuar në negociatat midis Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare dhe Serbisë dhe Bashkësisë ndërkombëtare dhe do të jenë merre ose lere në takimin e të shtunës në Prishtinë dhe Beograd.

Dihet edhe cilat janë opsionet e Kurtit para diplomacisë së prezentuar nga Lajçak, Escobar, Bonne, Plotner dhe Talo.

Foto nga takimi i pare i Kurtit me “peseshen e madhe”

Kurti ka katër opsione: Të tërhiqet nga Marrëveshja e Parë, të ndryshojë Kushtetutën, të mos bëjë asgjë, ose të propozojë një zgjidhje kreative të shtunën.

Sic ka shkruar të enjten Albanian Post, tri nga këto opsione kanë potencial shumë të dëmshëm për Kosovën.

Nëse Kosova tërhiqet nga Marrëveshja e Parë, kjo mund të sjellë rënie në nivelin ndërkombëtar të saj dhe eskalime të reja.

Nëse ndryshohet Kushtetuta, kjo mund të sjellë dobësim të strukturave të vendit.

Ndërkohë që, nëse Kosova nuk bën asgjë, rezultati mund të jetë i ngjashëm me opsionin e parë, duke lejuar Serbinë të përfitojë nga status quo.

Vetëmenaxhimi në këmbim të njohjes de facto, kjo është të shtunën në tavolinë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore