Kosova

Serwer për Albanian Post: Të mos pranohet Asociacioni nëse edhe shqiptarët e Luginës s’marrin të njëjtën gjë


Daniel Serwer

Nëse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nënshkruan Marrëveshjen Bazë të mbështetur në propozimin franko-gjerman me 27 shkurt në Bruksel, ai automatikisht pajtohet se do ta themelojë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Por, për Daniel Serwer – njohës i Ballkanit dhe drejtor për Programin e Menaxhimit të Konfliktit dhe Programeve për Politikën e Jashtme Amerikane në “Johns Hopkins” – Kurti do të duhej të pranonte formimin e këtij mekanizmi vetëm nëse përfitojnë diçka reciproke edhe shqiptarët që jetojnë në Serbi.

“Nuk besoj se duhet të formohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe përveç nëse është i përfshirë edhe reciprociteti për komunitetet shumicë të shqiptarëve në Serbi”, deklaron profesori amerikan Serwer në një intervistë për Albanian Post, vetëm një ditë para “finales së madhe”.

Veç kësaj, Serwer pohon se Kurti duhet të sigurohet që dokumenti të përmbajë edhe “njohjen de fakto të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës”.

Serwer ka këtë bindje, por meqë vetë s’është në tavolinën e bisedimeve, thotë se “Kurti nuk ka nevojë për këshillën time”, prandaj opinionet e tij s’i konsideron si harta të domosdoshme navigimi nga kryeministri i Kosovës.

Megjithatë, jo si këshill, por si vërejtje, Serwer ka një koment për Kurtin.

“Ai duhet të jetë i kujdesshëm në mbrojtje të shtetit të Kosovës nga çfarëdo kompromisi që dëmton integritetin territorial”, thotë studiuesi i menaxhimit të konfliktit.

A arrihet marrëveshje? Këtu Serwer ka të njëjtin mendim si të gjithë ata që e kanë përcjellur procesin nga larg.

“Nuk e di”, pohon, “nuk e di nëse do të arrihet një marrëveshje”.

Çfarë di Serwer është ajo që shihet sheshazi, “presionin e madh ndërkombëtar, veçanërisht mbi Kosovën”.

E çfarë në anën tjetër nuk po shihet fare, sipas tij, është përgatitja e popujve në dy shtetet për një marrëveshje eventuale.

“Asnjëri nga dy liderët nuk e ka bërë”, deklaron Serwer, “asnjëri nuk e ka përgatitur vendin e vet për një marrëveshje serioze.

Për marrëveshjen si totalitet – përkundër se nuk ofron zgjidhje definitive – Serwer beson se “janë disa ndërmjetësa (hapa të mesëm) që mund të jenë të vlefshme”.

Por, në dialogun Kosovë – Serbi s’janë vetëm këta dy lojtarë, mbase s’janë as më të rëndësishmit.

Komuniteti ndërkombëtar, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë rolin krucial në mënyrën si e ofrojnë ndërmjetësimin.

Serwer ka kritika për të dyja palët, si për evropianët ashtu edhe për amerikanët.

“BE-ja do ishte shumë më efektive nëse pesë mosnjohësit do ta njihnin Kosovën”, thotë ai, “ndërsa, ShBA-ja do ia dilte më mirë nëse do u qëndronte principeve bazike: ruajtjen e sovranitetit dhe integriteti territorial të të gjitha shteteve të Ballkanit dhe ofrimin e mbështetjes për mbrojtjen e të drejtave individuale”.

Ndryshe, e hëna e 27 shkurtit, mund të jetë dita historike që përcakton rrjedhën e zhvillime ndërshtetërore në mes të Kosovës dhe Serbisë, por jo vetëm.

Janë Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç personat që u jepet shansi ta përkthejnë në realitet projeksionin evropiano-amerikan dhe tashmë u është bërë e qartë se “time is up (ka përfunduar koha)”, ka thënë ekskluzivisht për Albanian Post burimi diplomatik që me informacionet qysh nga 18 shtatori i publikimit të parë të “kornizës së re”, ka dëshmuar që është në qendër të zhvillimeve dhe që palët tashmë e kanë të qartë që parashikimet e tij duhet marr seriozisht dhe me saktësinë e vendimmarrësit.

“Palët duhet që të deklarohen përfundimisht rreth marrëveshjes themelore”, thotë burimi.

Është bërë e qartë gjithashtu që në këtë fazë propozimi evropian nuk është më i negociueshëm, siç e ka cekur edhe ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak.

Pra, palët kanë vetëm dy mundësi, ta pranojnë ose ta refuzojnë.

Pranimi nënkupton vjeljen e të mirave që sjell marrëveshja, ndërkaq refuzimi nënkupton penalizime si për palët, pra Serbia dhe Kosova, por edhe sanksione personale ndaj Aleksandër Vuçiç-it dhe Albin Kurtit.

Ekskluzive: Koha ka përfunduar për Kurtin dhe Vuçiç’in – nënshkrim ose konflikt

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore