Lajme

Serwer: Kosova ka arsye të frikësohet – SHBA po e trajton Serbinë si shtetin kryesor në Ballkan


Daniel Serwer

Daniel Serwer, profesor në “John Hopkins University” dhe njohës i dinamikave në Ballkanin Perëndimor, tha se në këtë rajon rusët janë duke e zhvilluar një luftë hibride, e cila drejtohet nga Serbia, kryesisht kundër Kosovës, Bosnjë dhe Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.

Mosgatishmëria e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, për të nënshkruar propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, shfaqja e forcës në “Ditën Kombëtare” të Republikës Srpska, kërcënimet e Beogradit për veprim ushtarak në Kosovë, sipas Serwer, nuk kanë marrë përgjigje efektive nga Uashingtoni.

Në këtë kontekst, ai vlerësoi se Departamenti Amerikan i Shtetit ka pasur qasje shumë të butë ndaj Serbisë – agjentit kryesor të Rusisë në Ballkanin Perëndimor – dhe ka lejuar miliarda dollarë investime të shkojnë në Beograd.

“Rajoni është shumë i ndërlikuar, tepër periferik, tepër rëndues. Pra, i delegon hegjemoninë një shteti kyç. Departamenti i Shtetit mendon se është Serbia, e cila është gjeografikisht në qendër, më e madhe se fqinjët e saj, pak më mirë ekonomikisht dhe një shtet shumë më i konsoliduar se republikat e tjera ish-jugosllave”.

“Nëse shteti kryesor gjithashtu ruan marrëdhënie të mira me kundërshtarët tuaj, do të keni frikë nga një anim në atë drejtim. Prandaj, ngurrimi i qeverisë amerikane për të qortuar Beogradin, edhe kur mban anën e Moskës dhe Pekinit në politikën e jashtme, rrëshqet në mënyrë të pashmangshme drejt autokracisë në vend”, shtoi Serwer.

Profesori Serwer theksoi se fatkeqësisht, amerikanët favorizojnë një përfaqësues rus, pra në këtë rast Serbinë dhe presidentin serb, ndaj shteteve që me të vërtetë aspirojnë t’i bashkohen Perëndimit, siç janë Kosova, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi.

“Kjo është e shëmtuar. Por është gjithashtu e trishtueshme për rajonin, i cili ka arsye të forta të frikësohet nga destabiliteti. Bosnja, Kosova dhe Mali i Zi të gjitha përballen me kërcënime për sovranitetin dhe integritetin e tyre territorial si rezultat i trajtimit të Serbisë nga Amerika si shteti kryesor në Ballkan”.

“Vuçiç mund të bëjë atë që i pëlqen brenda vendit, pa u shqetësuar për kufizimet në pushtetin e tij. Dhe është e trishtueshme për Kievin, i cili duhet të shqetësohet se çfarëdo që amerikanët bien dakord në Ballkan, ata mund të kopjojnë në Ukrainë. Po për një Asociacion të komunave me shumicë ruse në Donbas?”, pyeti Serwer.

Serwer tutje potencoi se zyrtarët amerikanë u miqësuan dhe inkurajuan një qeveri pro-ruse në Mal të Zi dhe kanë insistuar në themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, një propozim që sipas tij, do të dobësonte shtetin e ri të Kosovës.

Sipas tij, politika e jashtme e SHBA-ve në Ballkanin Perëndimor është pjesë e një historie të gjatë të gjetjes së rrugëve më të lehta në rajon dhe siç vlerësoi ai, Marrëveshja e Dejtonit iu duk më e lehtë Uashingtonit në vitin 1995 sesa humbja e Republika Srpska.

“Qeveria serbe përfitoi nga kjo mbështetje për të refuzuar planin e Ahtisaarit për pavarësinë e Kosovës. Në vend të kësaj, ajo e etabloi Serbinë si një vend ‘neutral’ ushtarakisht. Beogradi u riarmatos më mirë, kryesisht me ndihmën ruse”, tha Serwer.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore