Sport

Serie A, luhet për kreun dhe Evropën


Me derbin e Genoa-s dhe fitoren e Samp përballë rivalëve të qytetit, nisi java e 17-të në Serie A.

Të shtunën, kjo javë vazhdon edhe me tri ndeshje tjera shumë të rëndësishme.

Juventus dhe Fiorentina, vendi i pestë dhe i gjashtë, sot do të kërkojnë që me fitore të afrohen pak më shumë me katër vendet e para dhe të mbajnë gjallë shpresat për ‘top 4’.

Kurse ndeshjen e saj e zhvillon edhe Milan, që pas eliminimit në Champions kërkon që të mbajë kreun në kampionat.

Ditën e nis Fiorentina, që në letër ka një ndeshje shumë të lehtë.

Skuadra nga Firenze e pret në “Artemio Franchi” skuadrën e fundit në tabelë Salernitana-n.

Ndeshja fillon në orën 15:00, dhe të paktën për disa orë, Fiorentina mund të ngjitet përkohësisht në vendin e pestë.

Më vonë, luan Juventus-i.

Pasi siguroi vendin e parë në grup, Juventus kërkon që të filloj ngjitjen edhe në kampionat.

Skuadra bardhezi udhëton në qytetin e gondolave, për t’u përballur me Venezia-n.

Juventus ka mbetur shumë prapa në luftën për titull, 11 pikë prapa Milan-it, dhe është shtatë pikë prapa zonës Champions.

Sot ata kërkojnë që me një fitore në fushën e Venezia-s, të fusin në presion katër skuadrat që janë favorite për Scuddeto-n.

Në anën tjetër, Venezia me një fitore do i largohej edhe më shumë zonës së ftohtë, me mbijetesën që është synimi kryesorë i tyre.

Kjo ndeshje fillon në orën 18:00, kurse dita mbyllet në orën 20:45.

Milan udhëton në Udine për t’u përballur me Udinese-n.

Udinese nuk po kalon një formë të mirë dhe Milan kërkon të përfitojë nga kjo që të mbajë përsëri kreun në Serie A.

Me një fitore, Milan do të largohej katër pikë nga vendi i dytë, deri sa Inter të zhvillojë ndeshjen përballë Cagliari-t.

Këto takime mbyllin ditën e shtunë në Serie A.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore