Lajme

Vuçiç e do Merkelin prapa, “atëherë Serbia shihej ndërmjet gishtave”


Angela Merkel dhe Aleksandër Vuçiç

Deputeti i Parlamentit Evropian dhe autori i raportit për Strategjinë e re të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, Tonino Picula, ka deklaruar se “nervozizmi i Beogradit zyrtar”, mund të shpjegohet me largimin e ish-kancelares gjermane Angela Merkel nga pushteti.

“Derisa Angela Merkel ishte në krye të Gjermanisë, Serbia shikohej ndërmjet gishtave, nuk ka dyshim për këtë”, kujtoi Picula dhe shtoi se “ajo kishte një dashamirësi ndaj (Aleksandër) Vuçic-it, duke shpresuar se qeveria serbe do t’i përfundonte negociatat për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”.

Por, siç theksoi eurodeputeti kroat, “ato kohë kanë ndryshuar, gjeopolitika ka ndryshuar dhe Gjermania ka hequr dorë nga ajo politikë e jashtme”.

Duke iu referuar sulmeve të vazhdueshme të krerëve institucionalë serbë ndaj tij, Picula vlerësoi se “fajtorët po kërkohen nga të gjitha anët” dhe nga ana tjetër presidenti serb “mbrohet në mënyrë të dëshpëruar”.

Tonino Picula

Ai gjatë diskutimeve në PE mbi “Marrëdhëniet midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në lidhje me paketën e re të zgjerimit”, prerazi shtoi se Bashkimi Evropian nuk do t’i përshtatet Serbisë, përkundrazi “Serbia (nëse dëshiron të anëtarësohet në BE) duhet të përshtatet me disa standarde që kërkohen prej saj”.

Ndryshe, vazhdimi i bisedimeve për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, sipas PE-së do të kushtëzohet me vendosjen e sanksioneve të Beogradit ndaj Moskës.

Kështu thuhet në një pjesë të publikuar të raportit për strategjinë e zgjerimit të BE-së e përgatitur nga Picula, deputeti socialdemokrat nga Kroacia, i cili është raportues i PE-së për këtë strategji.

Në propozime po ashtu thuhet se duhet “të bëhet prioritet përshtatja e vendeve nga procesi i zgjerimit me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së dhe të vazhdohen negociatat e anëtarësimit me Serbinë, vetëm nëse ky vend i bashkohet sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë”.

Edhe më herët, PE-ja ka kërkuar nga Serbia që t’i vendosë sanksione Moskës. Por, në këtë raport për herë të parë përmendet kushtëzimi i bisedimeve për anëtarësim me vendosjen e masave ndëshkuese ndaj Rusisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore